Ndodh që edhe në vendin ku është shpikur futbolli, sjelljet e dhunshme të tifozëve t’i detyrojnë organizatoret ta nisin ndeshjen me 45 minuta vonesë. Bëhet fjalë për takimin West Ham-Manchester United, që u shty për tre çerek orë pas sulmit ndaj autobusit të Djajve të Kuq nga ana e tifozëve londinezë, që në fakt duhet të feston për ndeshjen e fundit në stadiumin historik “Upton Park”.
Gjatë rrugës për në stadium, autobusi i Manchester United u dëmtua nga goditjet e shumta me mjete të forta. Sikurse tregojnë dhe pamjet filmike, autobusit iu thyen xhamat, ndërsa për të qetësuar situatën u desh ndërhyrja e menjëhershme e forcave të rendit. Mbërritja me vonesë në stadium e stafit dhe futbollistëve të United, i detyruan organizatoren që ta nisnin takimin jo në orën 20:45, por në 21:30.
Kapiteni i Djajve të Kuq, Wayne Rooney u shpreh se nuk e priste një sjellje të tillë nga tifozët e West Hamit, për të cilët kishte ruajtur konsiderata të larta. Më i ashpër në deklaratën e tij ishte trajneri Louis Van Gaal, i cili theksoi se situata të tilla influencojnë negativisht te futbollistët.