Titulli i këtij sezoni, lufta për një vend në Europë, por edhe skuadra e fundit që do të bjerë një kategori më poshtë, do të vendoset në javën e fundit. Megjithatë, në javën e 35-të, janë vendosur disa pika mbi “i”, ku Flamurtari, pas barazimit me Bylisin në Ballsh, ka siguruar matematikisht mbijetesën. Teuta nuk dorëzohet për Europën, pas fitores 3-0 ndaj Laçit. Një sukses të rëndësishëm për një vend në Europa League ka arritur edhe Kukësi ndaj Tërbunit. Tirana ka fituar kundër Vllaznisë 1-0 në një ndeshje pa tifozë në “Selman Stërmasi”. Në vallen e mbijetesës teorikisht është dhe Laçi, ndërsa ky barazim ka shpëtuar matematikisht Vllazninë. Me Flamurtarin të shpëtuar, rriten ndjeshëm edhe shanset për titullin për Skënderbeun që në javën e fundit shkon në Vlorë.
Bylis – Flamurtari
Pas humbjes së Skënderbeut, ku Partizani fitoi në fund duke hapur garën për titull, Flamurtari buzëqesh në Ballsh, duke marrë një pikë me shumë vlerë pas barazimit 0-0 dhe siguron mbijetesën matematikore në Superiore. Gjatë ndeshjes, tensioni nuk mungoi, aq më shumë kur u zbulua se portat në Ballsh ishin jashtë parametrave të duhur, duke qenë më të larta se duhej. Megjithatë, në fushë u pa një ndeshje e luftuar mes të dyja skuadrave, me vendasit që ishin më shumë në kërkim të golit. Por Flamurtari ishte më mirë në fazën mbrojtëse, falë edhe portierit Ilion Lika që ishte shumë i sigurt në daljet e tij. Bylisi tentoi deri në fund, por festa ishte për Flamurtarin, të cilët mbyllin një sezon me vështirësi. Edhe pse praktikisht janë më pranë Kategorisë së Parë, Bylisi matematikisht pret dhe shpreson ende përfundimin e javës së fundit të kampionatit.
Teuta – Laçi
Ashtu si për çështjen e titullit, edhe Teuta qëndron në valle për një vend në Europë deri në minutën e fundit. Gripshi, Çyrbja dhe Hoxha shënuan në suksesin 3-0 ndaj Lacit, që u vulos i tëri në pjesën e dytë, me kurbinasit që tashmë do të jenë të detyruar të fitojnë në javën e fundit me Tërbunin për të siguruar qëndrimin. Në pjesën e parë të dyja skuadrat janë treguar të kujdesshme për të mos pësuar dhe kanë rrezikuar shumë pak për të sulmuar. Sidoqoftë, durrsakët në pjesën e dytë kanë reaguar duke shënuar tre gola. Një fitore që mban në garë për Europën Teutën, që do të luajë ndaj Partizanit në kryeqytet, ndërsa Laçi do të ndeshet me Tërbunin.
Tërbuni – Kukësi
Kukësi hedh një tjetër hap të sigurt drejt kualifikimit në Europa League përmes kampionatit. Ishte një sukses me përmbysje ai i verilindorëve në stadiumin “Ismail Xhemali”, duke u ngjitur në kuotën e 60 pikëve. Përveç suksesit të skuadrës së Duros, në Pukë pati një episod të veçantë në fushat tona të futbollit. Një gol i rrallë u shënua nga portieri vendas Kuka, i cili realizoi golin e avantazhit në minutën e 10’ pas një gjuajtje nga porta në portë. Portieri pukjan shkelmoi fort topin duke e çuar në portën kundërshtare dhe pas rrëshqitjes së gardianit të Kukësit, sfera përfundoi në rrjetë. Gjithsesi, Kukësi është kundërpërgjigjur me Eminin dhe Nikën duke fituar 2-1.
Tirana – Vllaznia
E planifikuar të fillonte njëlloj si tre ndeshjet e tjera të ditës së sotme, takimi mes Tiranës dhe Vllaznisë nuk ka nisur në orën 17:30, por me 10 minuta vonesë. Arsyeja e kësaj vonese, sikurse mësohet nga burime pranë dy klubeve, ishte ngjyra e getave/çorapeve të skuadrës së Vllaznisë, që ngjasonte me atë të bardhebluve. Një fenomen ky që nuk u tolerua nga gjyqtarët e takimit. Aspak përcaktues në fatin e dy skuadrave, ky takim u zhvillua me dyert e mbyllura, për shkak të dënimit të tifozerisë bardheblu, e cila ka festuar jashtë stadiumit fitoren falë sulmuesit Elis Bakaj, i cili realizoi golin e vetëm të takimit në minutën e 51’.
KATEGORIA SUPERIORE
Java e 35-të
Dje
Bylis – Flamurtari 0-0
Tirana – Vllaznia 1-0
E.Bakaj 51’
Teuta – Laçi 3-0
Grifshi 51’, Çyrbja 79’, Hoxha 83’
Tërbuni – Kukësi 1-2
Kuka 10’/ Emini Nika 44’
Të premten
Skënderbeu – Partizani 0-1
Vila 90’
RENDITJA
Skuadra. P. Nd.
Skënderbeu 35 76
Partizani 35 74
Kukësi 35 60
Teuta 35 60
Tirana 35 53
Vllaznia 35 36
Laçi 35 35
Flamurtari 35 35
Bylis 35 32
Tërbuni 35 17