Nëse Kombëtarja e Shqipërisë shënon fitore kualifikimi nuk do të vijë automatikisht sepse duhen pritur rezultatet e kombëtareve të tjera
Kombëtarja Shqiptare e Futbollit do të luajë sonte në Lyon ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Euro 2016 kundër Rumanisë, ndërkohë që pas dy humbjeve të pësuara kundër Zvicrës dhe Francës me një fitore eventuale mund të shpresojë në kualifikim në të tetën e finales, ku rol të rëndësishëm do të luajë edhe golavarazhi.
Nëse Kombëtarja e Shqipërisë shënon fitore kualifikimi nuk do të vijë automatikisht sepse duhen pritur rezultatet e kombëtareve të tjera të renditura në vendin e tretë në radhitjen tabelare të grupeve, ndërkohë që nga gjashtë grupet në Evropian katër kombëtare në vendin e tretë vazhdojnë garat më tutje.
Trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Giani De Biasi, në konferencën e fundit për media para ndeshjes me Rumaninë deklaroi se në aspektin taktik nuk do të ketë ndryshime nga siç luajti me Francën, ndërkohë që portieri Etrit Berisha tha se rikthimi i kapitenit Lorik Canea pas kartonit të kuq është i rëndësishëm për ekipin.
Ndeshja e sotme nuk do të jetë aspak e lehtë për Shqipërinë pasi edhe Rumania kërkon një fitore e cila do t’i mundësojë asaj kualifikim automatik në fazën tjetër. Federata Rumune e Futbollit ka vendosur t’i motivojë lojtarët duke ofruar një shpërblim prej 1.5 milionë euro në rast fitoreje ndaj Shqipërisë të cilave u shtohen edhe 1 milion eurot e UEFA-s.
Në përballjen e dytë të grupit A takohen Franca dhe Zvicra, ndërsa të dyja ndeshjet luhen në orën 21:00.
Në grupin A kryeson Franca me 6 pikë, në vendin e dytë është Zvicra me 4 pikë, e treta është Rumania me 1 pikë dhe e fundit Shqipëria me zero pikë.