Carlo Ancelotti debuton në stolin e Bayernit të Mynihut, duke nisur rrugën e gjatë në radhët e kampionëve të Gjermanisë. Trajneri italian e drejtoi skuadrën në një takim miqësor kundër Lippstadt që militon në Kategorinë e Pestë, përballje e fituar me rezultatin 4-3. Gjithsesi, një lajm i keq erdhi menjëherë për Ancelottin pasi në minutën e 35, holandezi Arjen Robben u largua nga fusha e lojës për shkak të një dëmtimi edhe pse klubi beson se për sulmuesin nuk ka asgjë serioze.
Bayerni nuk kishte në dispozicion dy titullarët e mbrojtjes, Hummels dhe Boateng por edhe emra të tjerë me peshë si Vidal, Alaba, Neuer, Muller, Lewandowski apo Renato Sanches. Ajo që ra në sy ishte ndryshimi i stilit të lojës pasi Ancelotti duket se e ka këshilluar skuadrën të heqë dorë nga stili tiki taka dhe kërkoi vazhdimisht më shumë vertikalizime. Rezultati u pa menjëherë pasi ende pa kaluar gjysmë ore lojë rezultati u fiksua në shifrat 3-0 me Robben, Ribery dhe Green autorë të golave. Gjithsesi, gjatë fraksionit të dytë, për shkak të ndryshimeve të shumta në formacion dhe golit të katërt, Bayerni pësoi 3 gola, duke e mbyllur këtë sfidë me një rezultat që nuk e kënaq aspak trajnerin italian.