Operacionin në Qipro Turqia e ndërmori me të drejtën e shtetit garantues dhe me qëllim për të siguruar jetën e turkut qipriot, e rrezikuar për shkak të situatës konfliktuale në ishull.
Në lindje të Mesdheut, shumë afër qytetit të Mersinit ndodhet ishulli i Qipros, i cili është kthyer në simbolin e bukurisë. Ai përmendet si vendi, ku ka lindur dhe ka dalë për herë të parë në stere mbretëresha e bukurisë në mitologji, Afërdita. Ishulli njihet në të gjithë botën me bukuritë natyrore të pashoqe që ka. Sot ne festojmë përvjetorin e Operacionit të Paqes, i cili është realizuar në vitin 1974 në Qipro dhe ka siguruar edhenjë herë qetësinë e prishur në ishullin me dy komunitete.
Ishulli i Qipros ndodhet në verilindje të Mesdheut, në një pozitë të rëndësishme të rrugëve tregtare ndërmjet Anadollit dhe Libanit, Sirisë, Izraelit, Palestinës e Egjiptit. Për shkak të pozitës strategjike që ka, ishulli gjatë të gjithë historisë është përballur me pushtime dhe sulme të forcave sovrane që kanë dashur të kontrollojnë rrugët e tregtisë detare. Ishulli është ngadhënjyer nga shumë qytetërime dhe bart gjurmët e të gjitha këtyre qytetërimeve. Ndërsa osmanët ishullin e kanë marrë në vitin 1573, në kohën e Sulltan Selimit të 2-të, në luftën e ushtrisë osmane me venedikasit, ku ushtria osmane doli fitimtare. Nën sovranitetin osman grekëve që jetonin në ishull iu njohën të drejta të gjera, u lanë të lirë të zbatojnë normat e të drejtës së tyre dhe të ushtrojnëbesimin e tyre fetar. Me ngadhënjimin e ishullit nga krahinat të ndryshme të Anadollit emigroi këtu një popullsi turke.
Në këmbim të mbështetjes që Anglia i dha Shtetit Osman gjatë luftës osmano-ruse të vitit 1878, ishulli iu dha me qira Britanisë për një periudhë 150-vjeçare. Kështu në ishull rivendoset edhe një herë sovraniteti anglez, i cili kishte filluar gjatë fushatave kryqtare. Me hyrjen në luftë kundër Anglisë gjatë Luftës së Parë Botërore, në ishull Shteti Osman kishte emëruar një guvernator (vali) dhe e kishte pranuar ishullin si territor britanik. Në bazë të Traktatit të Paqes që u firmos në Lozanë pas Luftës Çlirimtare Turke, Turqia e pranoi sovranitetin anglez në ishull dhe dërgoi këtu një konsull. ENOSIS-i, pra përpjekja e banorëve grekë të Qipros, që ishin kundër sovranitetit anglez në ishull, për t’u bashkuar me Greqinë kishte filluar që në vitin 1931. Pushteti britanik donte të merrte nën kontroll trazirat dhe ndaloi mësimin e historisë greke dhe turke nëpër shkolla si dhe varjen e fotografive dhe portreteve të heronjve. Administrata britanike në ishull i rriti gradualisht presionetkundërtentativave për kryengritje popullore.
Në vitin 1955 organizata EOKA, e krijuar nga grekët e Qipros, filloi përpjekjen e saj të armatosur. Ndërkohë kishte edhe përleshje ndërmjet turqve dhe grekëve të ishullit. Në vitet 1960 u krijua Republika e Pavarur e Qipros, e cila do të udhëhiqej bashkërisht nga turqit dhe grekët. Kryetari i shtetit zgjidhej grek, kurse zëvendësi zgjidhej turk. Ndërsa Këshilli i Ministrave formohej në raport me numrin e banorëve që kishte secili komunitet. Republikën e Qipros e njohën Anglia, Greqia dhe Turqia, të cilat ishin edhe shtete garantuese. Në vitin 1963 sulmet e grekëve arritën kulmin. Si shprehje e mbështetjes ndaj komunitetit turk avionët luftarakë të Turqisë bënë disa fluturime mbi ishull. Turqia donte të garantonte sigurinë e jetës së turqve qipriotë duke zbarkuar forcat e saj në ishull. Vetëm se një letër e qeverisë amerikane, e cila në histori ka hyrë si Letra Johnson, parandaloi hyrjen e Turqisë në ishull. Amerika, e cila ndihma në armatime i bënte edhe Greqisë, edhe Turqisë, nuk donte që këto armë të përdoreshin në një luftë të mundshme që do të zhvillohej ndërmjet vendeve anëtare të NATO-s.
Duke qenë se në ato vite Turqia nuk kishte anije të mjaftueshme zbarkimi, nuk e bëri dot ndërhyrjen në ishull. Ndërkohë nga njëra anë bëhej armatosja dhe stërvitja ushtarake e turqve qipriotë me qëllim për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm i mundshëm. Në këtë periudhë kemi nisma reciproke për fushata intensive propagandimi. Si pasojë e viteve që kaluan në një klimë konfliktuale dhe me masakra të ndërsjellta situata degradoi deri në vitin 1974. Me puçin ushtarak që u realizua në Greqi u bënë përpjekje për të zbatuar planet e ENOSIS-it. Duke filluar që nga viti 1963 Turqia kishte bërë përgatitjet e nevojshme dhe kishte plotësuar mangësitë për një zbarkim të mundshëm. Bylent Exhevit (Bülent Ecevit) dhe Nexhmedin Erban, dy ortakët e qeverisë së asaj kohe në Turqi, morën vendimin për të ndërhyrë në ishull. Ndërkohë ishin evituar edhe kundërshtimet e Anglisë, e cila kishte në Ishull një bazë ushtarake dhe mbante ende statusin e shtetit garantues. Tani kishte ardhur dita e pritur. Me qëllim për të siguruar që populli turk i Qipros të takohej me flamurin turk, në datën 20 korrik 1974 nga njëra anë në ishull u dërguan desantë parashutistësh, kurse nga ana tjetër një pjesë e trupave zbarkuan në brigjet e Girnes. Luftimet vazhduan ndërmjet datave 20 korrik – 14 gusht dhe u finalizuan me fitoren turke.
Në këtë ngjarje Turqia përdori kompetencat e shtetit garantues, të cilat i njihnin Ankarasë të drejtën për të garantuar jetën e turqve qipriotë. Me zbarkimin që bëri në ishull, Turqia vendosi sigurinë pothuajse në gjysmën e ishullit. Bajoneta e ushtarit turk i dha fund klimës konfliktuale në ishull dhe siguroi paqen, e cila vazhdon edhe në ditët e sotme. Junta greke, e cila nuk arriti ta pengojë dot realizimin e Operacionit Paqësor dhe që pësoi një disfatë të madhe, u detyrua t’ia lërë vendin demokracisë. Kauza e Qipros, të cilën Turqia e shikon si një çështje kombëtare, me efektet e saj që vazhdojnë edhe sot vazhdon të jetë e rëndësishme për rajonin tonë.
Mbështetja e Turqisë në drejtim të garantimit të ekzistencës së turkut qipriot do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Bashkëkombësit turq që jetojnë në Qipro, atdheun mëmë (pra Turqinë) do ta kenë përherë pranë sa herë që sovraniteti dhe pavarësia e tyre do të përballen me ndonjë kërcënim. Ndërkaq me negociatat që vazhdojnë me ndërmjetësimin dhe kujdesin e Kombeve të Bashkuara, vazhdojnë edhe përpjekjet për një bashkim të të dy komuniteteve në të ardhmen nën një bashkëqeverisje të drejtë. Këto negociata mbështeten edhe nga Turqia dhe do të formësojnë strukturën politike dhe administrative të ishullit në të ardhmen.
E ndërsa festojmë edhe një herë me entuziazëm përvjetorin e Operacionit të Paqes në Qipro, urojmë që atmosfera paqësore në ishull të vazhdojë./trt


