Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan, pjesë e së cilës janë të gjithë komunitetet fetarë në këtë qytet, ka organizuar në fundjavën e kaluar një marshim në nder të viktimave të sulmit terrorist në Stamboll.
Në marshimin e organizuar nën moton “Jo diskriminimit, Po vëllazërimit’’ merrnin pjesë klerikë fetarë të qytetit të Elbasanit, përfaqësues të prefekturës së Elbasanit, bashkisë së këtij qyteti si dhe përfaqësues të shoqërisë civile në këtë qytet.Marshimi filloi në sheshin para stadiumit “Elbasan Arena” për të vijuar përgjatë gjithë bulevardit deri në monumentin e Aqif Pashës.
Duke vlerësuar bashkëpunimin ndërfetar në Shqipëri, përfaqësuesi i Myftinisë së Elbasanit, Behaudin Gashi dhe përfaqësuesi i Kishës Ortodokse të këtij qyteti, Stavri Cipi në fjalimet e tyre u shprehën:
“Dua t’ju them se ruajtja e bashkëjetesës fetare duhet bërë edhe gjatë ruajtjes dhe rigjallërimit të vlerave kulturore të popullit tonë. Dy aspektet më të rëndësishme janë konservimi dhe restaurimi i objekteve të kultit, të cilat janë pasuri i trashëgimisë kulturore dhe e dyta lejimi i hapësirës së nevojshme për ndërtimin e faltoreve të reja dhe ruajta e tyre nga pretendentë të ndryshëm”, u shpreh përfaqësuesi i Myftinisë së Elbasanit, Behaudin Gashi.
“Sa herë luftohet fiton, kur duan ta minojnë qëndron më lart, kur shahet bëhet edhe më i shkëlqyer, lëkundet por nuk shembet, rrihet prej dallgëve por nuk mbytet, luftohet por nuk mundet, goditet me grushte por nuk mposhtet, kurrë nuk mplaket dhe është në lulëzim”, tha përfaqësuesi i Kishës Ortodokse të këtij qyteti, Stavri Cipi.
Të pranishëm në këtë marshim ishin edhe drejtues vendor dhe politikanë, konkretisht Prefekti i Qarkut, Arben Kamami dhe deputetja e kësaj zone, Evis Kushi, të cilët në fjalimet e tyre ngritën lart dhe vlerësuan maksimalisht bashkëpunimin ndërfetar në vend.
“Shqipëria njihet botërisht për bashkëjetesën ndërfetare. Dhe kjo është shkaku kryesorë që diskriminimi fetar në Shqipëri të jetë më i ulët se vendet e tjera në botë. Harmonia dhe bashkëjetesa ndërfetare, me të cilat ne krenohemi në arenën ndërkombëtare duhet të ruhet dhe të trajtohet me respekt nga qytetarët, qeveria dhe entet fetare. Të gjithë këta duhet të bëjnë maksimumin që të mos shkatërrohen këta vlera”, cilësoi Prefekti i Qarkut, Arben Kamami.
“Jo diskriminimit, Po vëllazërisë” si dhe “Të promovojmë sa më shumë bashkëjetesën ndërfetare”, ishin disa prej sloganeve të këtij aktiviteti sensibilizues me pjesëmarrjen e shumë qytetarëve.
Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan organizon çdo vit këtë marshim të paqes, ndërkohë këtë vit kjo organizatë këtë marshim ia ka dedikuar solidarizimit me viktimat që humbën jetën në sulmin terrorist të ndodhur në “Sulltanahmet” të Stambollit.
Në marshim krahas mesazheve solidarizuese ndaj familjeve të personave që humbën jetën në këto sulme janë shprehur edhe mesazhe të tjera solidarizuese kundër diskriminimit njerëzor si dhe është bërë thirrje për vëllazëri ndërnjerëzore.
