Turqia është shteti i dytë botëror i cili ka investuar më së shumti në Kosovë, përderisa Shqipëria është e katërta.
Kryeministri Isa Mustafa shprehet i bindur se afaristët kosovarë së shpejti do të lëvizin lirshëm pa viza, ashtu siç do të lëvizin mallrat e tyre drejt vendeve të Bashkimit Europian. Nga ana tjetër, ai pranoi se situata politike në vend nuk është shumë e favorshme për tërheqjen e investimeve të huaja.
Në një takim me biznese organizuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Kryeministri Mustafa tha se kanë mbetur vetëm edhe dy çështje teknike për ti përmbushur drejt liberalizimit të vizave.
“Ajo që ka të bëjë me sigurimin e vendosjes së avokatit të popullit, dhe mbetet vendimi i Kuvendit të Kosovës lidhur me zgjedhjen e dy anëtarëve të organit shqyrtues të prokurimit publik”, – shprehet Mustafa.
Kryeministri tha se tashmë propozimet janë në Kuvend, si dhe është themeluar Komisioni nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të vlerësuar performancën dhe përvojën e tyre profesionale.
“Mendoj se kjo do të kryhet dhe nuk do të kemi asnjë problem që të gjitha përparësitë që neve na janë ofrua me Marrëveshje të Stabilizim Asociimit, ti realizojmë sepse do të kemi edhe liberalizim të vizave edhe mundësi të lëvizjes së lirë me vendet e BE-së”, – thotë Mustafa.
Kryeministri Mustafa potencoi rëndësinë e ofrimit të një pasqyre të sigurisë për investitorë të huaj.
“Në mënyrë që ato të vinë sepse nga këto investime varet edhe realizimi i objektivave tona sa i përket uljes së varfërisë, rritjes së punësimit edhe mirëqenies qytetare.”
Megjithatë ai pranoi se situata politike nuk është e favorshme për investitorë. Sa i përket kritikave për politizim të bordeve, kryeministri u shpreh se në Kosovë nuk ka asgjë jopolitike:
“Edhe në shoqërinë civile nëse është prapë i takon një rryme apo një përkrahje të caktuar politike, por ajo që ne kemi bërë, e që ju garantojë, është se unë i kam ftuar të gjithë anëtarët e bordeve edhe iu kam thënë se prej momentit që jeni zgjedhë anëtar të bordeve ju duhet vetëm ta zbatoni ligjin dhe jo qëndrimet politike dhe unë jam shumë i bindur se ne do të punojmë në bazë të ligjit.”
Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se gjatë vitit të kaluar si qeveri kanë arrit t’i punësojnë rreth 16 mijë persona.
Lindin dyshime për Termoncentralin Kosova e Re.
Por para se të flasim më gjerësisht për këtë, japim disa lajme rreth zhvillimeve tjera ekonomike gjatë kësaj jave në Kosovë.
Turqia është shteti i dytë botëror i cili ka investuar më së shumti në Kosovë, përderisa Shqipëria është e katërta.
Turqia ka pasur afro 40 milionë euro investime direkte në Kosovë, përderisa Shqipëria afro 29 milionë euro. Në vend të parë ndodhet Zvicra, me mbi 61 milionë euro investime direkte. Ndërmjet Turqisë e Shqipërisë ndodhet Mbretëria e Bashkuar, kurse Italia ndodhet në fund të listës së 9 shteteve me vetëm 4.3 milionë euro investime.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në total 260 milionë euro kanë hyrë në Kosovës si rezultat i Investimeve Direkte.
Qeveria e Kosovës ka përzgjedhur kompaninë “Paton Box” si përfaqësues ligjor për të zgjidhur kontestin në mes të kompanisë “Axos” dhe Qeverisë së Kosovës.
Kompania ‘Axos” ka paditur Qeverinë me pretendim se nuk e ka zbatuar kontratën për privatizimin e Postë Telekomit të Kosovës, të cilën e kishte fituar kjo kompani në vitin 2013.
Qeveria ka autorizuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për pagesën e shpenzimeve administrative ne qendrën ndërkombëtare për zgjidhjen e kontesteve investive për kontestin e ngritur nga kompania Axos.
Ministri Blerand Stavileci në mbledhjen e Qeverisë tha se duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi ka ftuar kabinetin qeveritar të miratojë këtë vendim.
Ai ka deklaruar po ashtu se kompania Paton Box ka kërkuar për këtë përfaqësim ligjor të paguhet ne vlerë prej 17 mijë e 700 dollarëve.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka filluar një vizitë jo të zakonshme. Ajo po viziton komuna të Kosovës, për të diskutuar me drejtuesit e tyre për problemet e zhvillimit ekonomik dhe për sfidat në këtë fushë, me theks të veçantë në tërheqjen e investimeve të huaja.
Gjatë këtyre vizitave, ajo po shoqërohet nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu dhe kryetari i Odës Ekonomik Amerikane, Arian Zeka.
Sipas një njoftimi të Presidencës, kryetarët e Komunave kanë njoftuar Presidenten lidhur me gjendjen në komunat e tyre, problemet me të cilat ballafaqohen ato, si dhe planet për zhvillim. Jahjaga ka filluar me rajonin e Dukagjinit dhe përafërsisht deri në fund të këtij muajit do t’i përmbyll vizitat në të gjitha komunat e Kosovës.
Nga dita e enjte 12 kompani prodhuese e përpunuese nga Kosova, do të prezantojnë dhe shesin produktet e tyre në Panairin me të madh të bujqësisë në botë, International Green Ëeek që mbahet nga e enjtja në Berlin. Kosova po merr pjesë në këtë panair në mesin e shumë shteteve të botës. Këto 12 kompani janë dërguar atje nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR).
Ministri Memli Krasniqi është shprehur shumë i lumtur që çdo ditë e më shumë prodhimet nga vendi po kanë mundësi të reja të qasjes në tregun evropian.
“Prezantimi në këtë panair vjen në kohën kur hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) dhe kompanitë tona mund të shfrytëzojnë këtë ngjarje të madhe, për të parë mundësitë e bashkëpunimit në veçanti për eksport”, është shprehur ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi.
Bazeli, për pesë ditë rresht do të jetë nikoqir për përfaqësuesit e bizneseve të industrisë së ndërtimit. Në panairin “Swissbau 2016”, po marrin pjesë 1100 ekspozues nga 19 vende, në mesin e tyre edhe 3 kompani nga Kosova. Pritet të vijnë deri mbi 100 mijë vizitorë.
Sipas organizatorëve, i tërë zinxhiri i vlerës së pasurive të patundshme është i përfaqësuar në Swissbau. Këtë mundësi e kanë edhe kompanitë kosovare të përpunimit të drurit “Lesna”, “Elnor” dhe “Shehu”, që përfaqësojnë për herë të parë Kosovën në panairin Swissbau në Bazel.
Numri i familjeve që po bëhen pjesë e skemave sociale ka shënuar rënie në vitet e fundit.
Në tremujorin e parë të vitit 2015, ishin mbi 27 mijë familje të cilat kishin përfituar nga skemat sociale. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë afro 2 mijë, ose 6.5 për qind familje më pak që kanë përfituar nga kjo skemë.
Si njëri ndër qytetet më të varfra në vend, Mitrovica ka numrin më të më madh të familjeve që marrin ndihma sociale. Mirëpo këto ndihma, sipas drejtorit të Drejtorisë për Integrime dhe Mirëqenie Sociale në Mitrovicë, Qazim Nimani nuk i përmbushin as për së afërmi kërkesat e familjeve.
Mbi 1.5 milion euro është vlera e konfiskimit të parave gjatë vitit që lamë pas, për veprat penale, krim të organizuar, prostitucion dhe pastrim të parave, thonë udhëheqës të Njësisë së Inteligjencës Financiare.
Dardan Nuhiu, drejtor i kësaj njësie, ka thënë se dukuria e pastrimit të parave është e pranishme në Kosovë, mirëpo shkalla e prezencës së saj nuk është e matshme për shkak të natyrës së kësaj vepre penale.
Por, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se vlera prej 1.5 milion euro, është vlera minimale e konfiskimit të parave nga aktivitete e dyshimta në Kosovë.
Paraqiten dyshime përfshirjen e Bankës Botërore dhe SHBA-së në Projektin e Energjisë Elektrike nga Thëngjilli në Evropën Juglindore, më saktësisht në ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re. Këto dyshime janë shprehur në një studim nga Instituti për Analiza Ekonomike dhe Financiare të Energjisë (IEEFA) dhe Konsorciumit kosovar Kosid. Gjatë një konference në Prishtinë, Drejtori i Financave i institutit amerikan Tom Sanzillo, përmes një video lidhjeje, ka thënë se “Termocentrali i propozuar Kosova e Re do të dëmtojë familjet. Po ashtu kostot e ndërtimit do të tejkalojnë së tepërmi vlerësimet zyrtare, kurse përfshirja e SHBA-së nënkupton tërheqje nga zotime për klimën.”
“Termocentrali i propozuar me djegie thëngjilli “Kosova e Re” do të shkaktoj rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë në nivele të paarsyeshme dhe do të bëhet një barrë e panevojshme afatgjate për ekonominë e Kosovës. Instituti jonë ka ardhur në përfundim se Banka Botërore, e cila e ka deklaruar mbështetjen e saj me një subvencion substancial financiar për ndërtimin e termocentralit me djegie të thëngjillit, në vend të kësaj duhet të investoj në zhvillimin e energjisë së ripërtërishme dhe efiçiencës së energjisë në Kosovë. Instituti konstaton se edhe qeveria e SHBA-së, e cila e ka mbështetur ketë projekt, duhet të ndërpres mbështetjen e saj për fillimin e gabuar të kësaj forme të kushtueshme dhe të vjetruar të gjenerimit të energjisë elektrike”, tregon Tom Sanzillo.
Këto të dhëna nuk janë adresuar më herët nga asnjë studim tjetër teknik, mjedisor, ekonomik ose financiar energjetik për termocentralin e propozuar.
“Studimi i IEEFA-së po ashtu tregon se kostoja për prodhimin e energjisë nga Termocentrali Kosova e Re do të jetë katërfish më e lartë se kostoja aktuale e prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë. Dhe kjo do të ngrit çmimin e energjisë elektrike për familjet kosovare. Hulumtimi i IEEFA-së tregon se Termocentrali Kosova e Re do të rris çmimin e përgjithshëm të energjisë elektrike në Kosovë për së paku 34 për qind e deri në 50 për qind”, sqaron Tom Sanzillo.
Sanzillo tregon edhe vlerën se sa do të kushtojë TC nëse ndërtohet.
“Ministri kosovar i zhvillimit ekonomik deklaroi në nëntor të vitit 2015 se kostoja e ndërtimit të termocentralit do të jetë gjithsejtë 1 miliardë euro, IEEFA bazuar në përvojën e kaluar me projekte të ngjashme të ndërtimit të termocentraleve me thëngjill pret që vetëm kostoja e ndërtimit do të jetë gjithsejtë 1.35 miliardë euro dhe kostoja e vërtetë e termocentralit, kur të jetë përfshirë financimi dhe subvencionet, do të arrijë së paku në 4.2 miliardë”, shprehet Tom Sanzillo.
Tarifat e energjisë elektrike në Kosovë edhe ashtu janë tepër të larta, veçanërisht për banorët që jetojnë nën kufirin e varfërisë. Shumica e familjeve në Evropë paguajnë më pak se 6 për qind të të ardhurave të tyre vjetore për energji elektrike, kurse në Kosovë kjo përqindje është dukshëm më e lartë, thuhet me tej në studim.
Nga ana e tij, Visar Azemi nga Kosid tregon se sa shumë do të ngarkohen familjet kosovare.
“Familja mesatare do të paguaj 13 për qind të të ardhurave vjetore për energji elektrike. Familjet me të ardhura të ulëta deri mesatare do të paguajnë 18 për qind të të ardhurave të tyre për energji elektrike. Kurse familjet me të ardhura shumë të ulëta, që jetojnë nën kufirin e varfërisë dhe që harxhojnë më pak energji elektrike se familjet e tjera, do të paguajnë 40 të të ardhurave për energjinë elektrike“, thotë Visar Azemi.
Ofertuesi i vetëm për ndërtimin e TC Kosova e Re është kompania amerikane Kontour Global.
Muharrem SARAGJOLLI
/TRT/