Profesori Milazim Krasniqi i konsideron këto sulme si lajm të keq për Turqinë e cila, viteve të fundit, ka bërë një zhvillim të madh ekonomik dhe ka hapur rrugën e pajtimit me popullsinë kurde në Turqi.
Shefi i departamentit të Gazetarisë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, prof.dr. Milazim Krasniqi, njohës i mirë i rrethanave në Turqi dhe Lindjen e Mesme, e ka cilësuar si ngjarje shumë tragjike humbjen e jetëve të policëve dhe ushtarëve turq, në disa sulmet terroriste që ndodhen ditë më parë në Igdir dhe Hakkari, në juglindje të Turqisë, të ndërmarra nga organizata terroriste PKK.
Profesori Krasniqi i konsideron këto sulme si lajm të keq për Turqinë e cila, viteve të fundit, ka bërë një zhvillim të madh ekonomik dhe ka hapur rrugën e pajtimit me popullsinë kurde në Turqi.
Shtimin e sulmeve terroriste kohëve të fundit, ai e lidh me faktin se Iraku është një shtet gjysmë-anarkik dhe nuk është normale që në Irak të ketë baza të një organizate të shpallur si terroriste. Krasniqi shpreh mendimin se, do të duhej një koalicion ndërkombëtarë në kuadër të krejt përpjekjeve që po bëhen për të ç’rrënjosur edhe ISIL-in, i cili koalicion do të duhej të luftonte edhe PKK-në, organizatë kjo terroriste e cila, sipas Krasniqit, ka karakter destabilizues dhe është e rrezikshme për paqen në rajon.
“Është jashtë normales dhe logjikës që PKK-ja ka baza të veta të rekrutimit dhe të aktivitetit në një shtet fqinj të Turqisë, në Irak. Pak a shumë është simetrike situata, sikurse rasti me Al Qaida (Al Kaeda) që ka pasur bazat e veta në Afganistan para ndërhyrjes amerikane” shpjegon Krasniqi.
Sikurse e theksoi profesor Milazim Krasniqi, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 7 qershorit 2015 në Turqi kur HDP (Halkilar Demokratik Partisi), parti e cila përfaqëson komunitetin kurd, fitoi 80 ulëse në parlamentin turk, aktivitetet terroriste të PKK-së ndaj caqeve civile dhe atyre të organeve të rendit dhe sigurisë, janë shtuar. Që nga atëherë, raportohet se janë vrarë 118 persona në Turqi, civilë, policë dhe ushtarë turk.
Gjitha këto kanë shkaktuar edhe reagimin e popullit turk që, ditëve të fundit ka protestuar kundër akteve terroriste të PKK-së.
Krasniqi rithekson se, aksionet terroriste tregojnë shqetësimin e PKK-së për shkak se HDP ka hyrë në parlament dhe realisht, tani është pjesë edhe e qeverisë teknike, që është element i rëndësishëm për integrimin e kurdëve në shoqërinë dhe institucionet turke, gjë e cila nuk i konvenon PKK-së.
“PKK-ja prej fillimit ka manifestuar mentalitetin e një organizate tipike klandestine dhe terroriste. Si e tillë, ajo ushqehet vetëm nga konfliktet, vetëm nga terrori. Si e tillë, nuk i konvenon integrimi në shoqërinë dhe shtetin turk. Pra, në këtë aspekt, besoj se intervenimi edhe i Qeverisë së Turqisë për një koalicion më të gjerë, do të duhej të bëhej në kuptimin e izolimit të kësaj organizate, në mënyrë që procesi i integrimit kurd në shoqëri të përshpejtohet dhe intensifikohet, ata të bëhen pjesë integrale ashtu siç e kanë manifestuar, se duan të jenë pjesë e shoqërisë, ndërsa organizata terroriste të vihet jashtë ligjit dhe të mos diktojë asgjë në jetën shoqërore të vendit” tha Krasniqi.
Një problem tjetër të madh që e sheh prof.dr.Milazim Krasniqi është fakti se, Turqia ballafaqohet me një fqinjësi problematike, Sirinë si shtet të shpërbërë plotësisht dhe Irakun si shtet të dështuar i cili nuk po mund ta marr veten. Si të tilla, këto dy shtete paraqesin baza të mira për stërvitjen dhe përgatitjen e organizatave terroriste prandaj, profesori Krasniqi e konsideron si të nevojshëm, një intervenim të sinkronizuar edhe me partnerët ndërkombëtar për të ç’rrënjosur organizatat e tipit të DAESHI-it (ISIL) dhe PKK-së, që janë destabilizuese dhe marrin jetën e njerëzve të pafajshëm, me qëllim të realizimit të qëllimeve politike.
Ndërkohë, lidhur me sulmet e fundit terroriste në Turqi, përmes postimit në rrjetin social Facebook është prononcuar edhe ministri i Administratës Publike të Kosovës, Mahir Yağcılar, njëherësh kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP).
Ai ka dënuar ashpër sulmet terroriste dhe njëkohësisht i ka shprehur ngushëllimet e thella Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe familjeve të policëve dhe ushtarëve të rënë dëshmorë. Për sulmet terroriste, ministri Yağcılar tha se kanë për qëllim dobësimin e shtetit turk dhe ka kërkuar që ato të ndalen menjëherë duke i lënë vendin paqes dhe tolerancës sepse, sipas tij, me terror dhe shkatërrime asnjë problem nuk mund të zgjidhet. Përkundrazi, e ardhmja dhe bashkëjetesa mund të ndërtohet vetëm me demokraci, zhvillim ekonomik, paqen dhe miqësinë e popujve.
“Sikurse që është e rëndësishme për qytetarët e Turqisë, tërësia territoriale dhe zhvillimi i ekonomik i shtetit turk, ashtu është e rëndësishme edhe për ne, turqit që jetojmë jashtë Turqisë. Prandaj, sikurse i gëzohemi çdo suksesi dhe përparimi, ashtu edhe bashkëndiejmë me rastin e ngjarjeve tragjike” shkruan në Facebook, ministri Yağcılar.
Gjatë sulmeve të fundit terroriste në Turqi, në atentatet ndaj policëve dhe ushtarëve turq humbën jetën 14 policë në Igdir dhe 16 ushtarë në Hakkari. Telegrame ngushëllimi drejtuesve të shtetit turk iu kanë dërguar shumë udhëheqës të shteteve të botës, ndërkohë u solidarizuan edhe Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi, duke dënuar ashpër këto sulme.
