Fillimi PolitikëLulzim Basha dorëhiqet nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë

Lulzim Basha dorëhiqet nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë

nga Shekulli Agency

Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), partisë më të madhe opozitare në vend.

Vendimin e tij Basha e ka bërë të ditur gjatë një mbledhje të grupit parlamentar të PD-së, së bashku me struktura të tjera të partisë opozitare.

Bashka ka deklaruar gjatë mbledhjes se përpjekja e tij për të mbajtur Partinë Demokratike të bashkuar nuk arriti sukses.

“Për të ndihmuar Partinë Demokratike dhe demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore, i vetëdijshëm për peshën që mora mbi vete, me atë që e kam quajtur vendimin tim më të vështirë politik, unë kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të Partisë Demokratike, me qëllim dhe i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve dhe Partisë Demokratike si shpresa e vetme për shqiptarët”, është shprehur Basha.

Basha ka shtuar se “Shqipëria meriton dhe do të ketë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve, në krah të interesit qytetar dhe kombëtar dhe të aleatëve strategjikë”.

Kujtojmë se pas shpalljes së ish-kryeministrit Sali Berisha “non grata” nga SHBA-ja, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vendosi të përjashtojë nga grupi parlamentar i kësaj partie Berishën në shtator të vitit të kaluar, vendim që shkaktoi kundërshtime dhe përplasje brenda PD-së, duke krijuar dy grupime, pro Bashës dhe kundra tij.

Kërkesat për dorëheqjen e Bashës brenda radhëve të deputetëve të PD-së u shtuan në ditët e fundit, pas humbjes së PD-së në zgjedhjet e pjesshme lokale në Shqipëri, që u mbajtën më 6 mars të këtij viti.

Basha u zgjodh në krye të Partisë Demokratike në vitin 2013, duke u rizgjedhur dy herë në krye të saj, ndërkohë ai para se të zgjidhej kreu i PD-së ka mbajtur edhe disa poste ministrore.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies