
Më 25 korrik, presidenti i Tunizisë, Kais Saïed njoftoi se ka ngrirë parlamentin, ka shkarkuar kryeministrin dhe ka hequr imunitetin e anëtarëve të parlamentit duke u thirrur në nenin 80 të Kushtetutës. Ky akt ishte episodi i fundit i vargut të krizave me të cilat vendi po përballej, shkruan (AA).
Derisa presidenti Saïed dhe pasuesit e tij hodhën poshtë në mënyrë të përsëritur akuzat se ka kryer një “grusht shtet”, ata thonë se Kushtetuta e lejoi atë të përdorë masa të jashtëzakonshme në rast të një kërcënimi të afërt. Është e qartë se hapi i Saïed-it nuk bazohet vetëm në një interpretim të pasaktë të nenit 80 të Kushtetutës, por vendimet e tij fillestare pasqyrojnë librin puçist. Ai pezulloi parlamentin dhe mori të gjitha kompetencat ekzekutive, përfshirë ato të prokurorisë publike dhe sigurisë së brendshme.
Pasuesit e Saïed-it kundërshtojnë etiketën “grusht shteti” sepse ishte tashmë kreu i shtetit dhe veprimet e tij ishin pa gjak. Një kundërshtim i tillë është patetik sepse ajo që komplotoi Saïed bie nën kategorinë e “vetë-grushtit të shtetit”, të quajtur edhe “autopuç” (nga autogolpa spanjolle). Një vetë-grusht shteti, siç shpjegon akademiku Charles Call, “kryhet nga kreu i qeverisë dhe jo nga oficerët ushtarakë ose të tjerët kundër atij shefi ekzekutiv”. Në fakt, vetë-grushti i shtetit i regjistruar në historinë moderne u krye nga Napoleoni III në vitin 1852. Me emrin e koduar “Operacioni Rubikon”, grushti i shtetit i Napoleonit III shpërndau Asamblenë Kombëtare dhe i dha kompetenca diktatoriale kreut të shtetit të atëhershëm.
– Çfarë më tej?
Bazuar në deklaratat e Saïed-it gjatë dy viteve të fundit dhe veprimet që ai ndërmori që nga 25 korriku, mund të parashikohet trajektorja. Para së gjithash, Saïed ka shumë të ngjarë të vazhdojë rrugën e tij për të kapur të gjitha fuqitë. Ai do të lëvizë për të ndryshuar Kushtetutën, e cila ka qenë objektivi i tij që nga dita e parë. Ndër ndryshimet kryesore që priten është dobësimi i kompetencave të parlamentit dhe kontrollet dhe balancat përballë institucionit presidencial. Për më tepër, ligjet zgjedhore do të rishikohen në mënyrë që asnjë parti të mos dalë fituese e qartë nga këto “zgjedhje”.
Duhet të theksohet se Saïed nuk ka qenë kurrë pjesë e një partie politike më parë. Kështu, ai nuk ka një platformë politike efektive për të udhëhequr vizionin e tij nga ideimi në zbatim duke siguruar mbështetjen publike. Disa ekspertë spekuluan se ai së shpejti do të krijojë partinë e tij, por kjo ka më pak gjasa të ndodhë. Saïed ka shprehur më parë kundërshtimin e tij ndaj idesë së një sistemi politik të bazuar në partitë politike si arkitektura e tij bazë. Ai gjithashtu ka shprehur mbështetjen e tij për një decentralizim të plotë shtetëror përmes një ideje të majtë të njohur si “këshillizëm”, e cila i bën këshillat vendorë shtyllën themelore të sistemit politik të Tunizisë.
– Mungesa e legjitimitetit
Derisa Saïed-it i mungon legjitimiteti ndërkombëtar, aftësia e tij për të qëndruar në pushtet varet nga dy rezultate: mbështetja perëndimore dhe ndihma nga boshti arab i autokracisë (Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti). Për të qetësuar të parën, Saïed ka shumë të ngjarë të privatizojë kompanitë kombëtare si Tunis Air, Sonede, STEG. Në të njëjtën kohë, sindikatat e fuqishme të punëtorëve, të cilat kanë luajtur një rol të madh në prishjen e reformave të filluara që nga revolucioni i vitit 2011, do të kufizohen shumë. Hapa të tillë do të sigurojnë bekimin e Parisit dhe kryeqyteteve të tjera perëndimore. Ndërkohë, nuk do të ketë luftë të vërtetë kundër korrupsionit ose ndonjë shpërbërje të lobeve të fuqishme. Vetëm një muaj pas grushtit të shtetit të tij, Saïed mbylli selinë e Autoritetit Kundër Korrupsionit dhe shkarkoi drejtorin e tij, i cili ofron indikacione të forta për gjërat që do të vijnë.
Për të tërhequr boshtin e autokracisë, Saïed tashmë e ka shtuar ofensivën e tij të sharmit drejt Abu Dhabit, Rijadit, dhe Kajros. Për këtë qëllim, ai mbylli zyrat e Al Jazeera-s në Tunizi, pasi rrjeti me bazë në Katar mbetet një ngacmues i përjetshëm për autokratët në rajon. Ai më pas mbylli kufijtë me qeverinë legjitime të Libisë në Tripoli për shkak të mospërputhjes së saj me kryeqytetet arabe të lartpërmendura. Për më tepër, ai vendosi të rishikojë marrëveshjen tregtare me Turqinë edhe pse ka deficite më të konsiderueshme në marrëveshje të ngjashme me Kinën dhe Italinë. Për më tepër, Saïed duket i fiksuar pas Ennahda -s, duke u përpjekur të lidhë komplote imagjinare të vrasjeve në këtë parti për ta ndaluar atë nga sfera politike.
– Çfarë pritet?
Aktualisht, shumë njerëz në Tunizi ëndërrojnë për një ndryshim që mund të adresojë pritjet themelore socio-ekonomike të njerëzve. Eksperimentet Don-Kishotoske të Saïed-it, megjithatë, nuk do t’i përmbushin ato pritshmëri. Ndonëse të këndshme në letër, eksperimentet e Saïed-it janë të rrezikshme, të kushtueshme dhe të destinuara për të dështuar sepse nuk janë provuar kurrë diku tjetër.
Akoma më keq, një pjesë e madhe e literaturës tregon se grushtet e shtetit çojnë në më shumë paqëndrueshmëri politike. Për shembull, shkencëtari politik Patrick McGoëan, i cili hulumtoi puçet që ndodhën në Afrikë gjatë gjysmë shekulli, zbuloi se grusht shtetet e suksesshme, grusht shtete të dështuar dhe madje komplote grushti shteti dëmtuan shanset e stabilitetit. Në mënyrë të ngjashme, hulumtimi i Aristide Zolberg sugjeron se “grushtet e shtetit krijojnë grusht shtete të tjera”. Për më tepër, Bienen dhe Van De Walle pohojnë se udhëheqësit që marrin pushtetin me grusht shteti kanë më shumë gjasa të rrëzohen në një grusht shteti.
I parë në këtë këndvështrim, Saïed mund të jetë “budallai i dobishëm” që ka hapur kutinë antidemokratike të Pandorës, vetëm për të prodhuar një grusht shteti tjetër në linjë pasi eksperimentet e tij kimerike të dështojnë. Vetëm këtë herë, nxitësi ka të ngjarë të vinte nga aparati i sigurisë: një bishë e fjetur që Saïed e ka ushqyer.
(Shkrimtari është Menaxher në Qendrën Kërkimore TRT World dhe autori i “Media në Luftë: Përplasja e Rrjeteve Perëndimore dhe Arabe në Lindjen e Mesme”. Dr. Cherkaoui është një ekspert në fushën e komunikimeve strategjike.)