Fillimi LajmeZvogëlohet numri i emigrantëve në Gjevgjeli, tensione në kufirin greko-maqedonas

Zvogëlohet numri i emigrantëve në Gjevgjeli, tensione në kufirin greko-maqedonas

nga Shekulli Agency

sh-policia-maqedoni

Situata është disi e tensionuar në vijën kufitare, ku në një gjatësi prej 400 metrash është vendosur një gardh teli. Emigrantët nuk lejohen të hyjnë në territorin e Maqedonisë, ata ndodhen në territorin e Greqisë…

 

Pretendohet se anëtarë të policisë maqedonase në kufirin jugur greko-maqedonas kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra emigrantë që përpiqen të hyjnë në territorin e Maqedonisë nga Greqia, por kjo nuk është konfirmuar nga autoritetet zyrtare. Kjo situatë vjen pasi një ditë më parë Maqedonia mbylli kufirin jugor duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme në dy rajonet kufitare me qëllim për të përballur fluksin e madh të emigrantëve, që udhëtojnë nga Lindja e Mesme nëpër vendet e Ballkanit për të arritur në vendet e zhvilluara të Evropës.

Mbrëmë një numër i madh i emigrantëve kaluan natën jashtë zonës kufitare ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, ndërsa mëngjesin e sotëm ata tentuan të kalojnë policinë maqedonase dhe të hyjnë në territorin e Maqedonisë. Situata është disi e tensionuar në vijën kufitare, ku në një gjatësi prej 400 metrash është vendosur një gardh teli. Emigrantët nuk lejohen të hyjnë në territorin e Maqedonisë, ata ndodhen në territorin e Greqisë fqinje dhe ka rreth tre mijë deri në katër mijë emigrantë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Ivo Koteski, tha për AA se deri më tani nuk është vërtetuar se është përdorur gaz lotsjellës dhe se ka persona të lënduar, por theksoi se kufiri jugor është duke u mbrojtur vetëm nga ana e policisë maqedonase, pa ndihmën e Greqisë.

“Deri më tani nuk mund të konfirmoj se është përdorur gaz lotsjellës, por policia maqedonase ka për detyrë të mbrojë kufirin, sepse për fat të keq kufiri nuk mbrohet nga ana e Komisionit Evropian, veçanërisht nga ana greke, pasi që bëhet fjalë për kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian”, tha Koteski për AA.

Ndërkohë në Gjevgjeli, qytet në afërsi të kufirit greko-maqedonas rrugët përreth stacionit hekurudhor dhe të autobusëve pothuajse janë të zbrazura dhe nuk ka emigrantë. Deri dje këto vende ishin të “pushtuara’ tërësisht nga emigrantë që udhëtonin për në Serbi.

Fluksi e emigrantëve është zvogëluar edhe në kufirin verior në fshatin Tabanovcë. Banorët e lagjes Slanishte që ndodhet në fund të fshatit Tabanovcë të Kumanovës, thonë se mbrëmë dhe mëngjesin e sotëm nuk janë vërejtur grupe të mëdha të emigrantëve, sikur më parë kur në ditë kalonin rreth 2 mijë emigrantë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies