Bëhet fjalë për shtetasit turq, Gjulçin E. (52) dhe djali i saj Samet S. (29), të cilët u vranë pasi që u qëlluan në kokë me armë zjarri.
Nëna dhe djali i saj, shtetas të Turqisë janë gjetur të vdekur mëngjesin e sotëm në orën 05:30 në një shtëpi në rrugën “Kozle” të Shkupit.
Prokurori publik dhe Departamenti për Punë të Brendshme Shkup, pas kryerjes së veprimeve hetimore njoftuan se bëhet fjalë për shtetasit turq, Gjulçin E. (52) dhe djali i saj Samet S. (29), të cilët u vranë pasi që u qëlluan në kokë me armë zjarri. Të vrarit ishin të ftuar dhe qëndronin në një shtëpi në pronësi të N.A. (57), shtëpia e të cilët ndodhet në fund të lagjes “Kozle”.
Për vrasjen askush nga banorët e lagjes nuk ka dëgjuar asgjë. Ata thonë se mbrëmja ishte normale dhe njerëzit si gjithmon lëviznin nëpër këtë lagje. “Ne nuk kemi dëgjuar asnjë të shtënë. Na zgjuan ekipet e policisë të cilët rreth orës gjashtë të mëngjesit arritën në lagje”, tha një banor i lagjes. Banorët gjithashtu njoftojnë se familja që jeton në shtëpinë, në të cilën u gjendën trupat ishin fqinjë paqësorë.
Policia është duke zhvilluar hetime për të zbuluar autorët e krimit dhe zgjidhjen e plotë të rastit.
