
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se nuk do të ketë kolona refugjatësh në Kosovë dhe se serbët do të mbrohen nga persekutimi dhe dëbimi, sipas tij, “përveç nëse NATO-ja dëshiron ta bëjë këtë ose nëse ata marrin pjesë në persekutim dhe dëbimi me njësitë shqiptare”.
Presidenti Vuçiq gjatë adresimit të tij para opinionit, që erdhi pas bisedimeve me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, tha se “autoritetet kosovare kanë vendosur të dëbojnë serbët nga veriu i Kosovës”.
Vuçiq ka thënë se serbët nga Kosova kanë mbështetur lidershipin e Serbisë në kërkimin e një zgjidhjeje kompromisi, “me ç’rast kanë vendosur vija të kuqe për të cilat presidenti nuk ka dashur të flasë”.
Ai theksoi se serbëve nga Kosova u ka dhënë “absolutisht të gjitha garancitë se nuk do të ketë persekutime dhe dëbime të reja” të serbëve dhe se ky është mesazhi i tij “për të gjithë ata që jetojnë këtu dhe kudo në botë”.
Vuçiq më tej theksoi se lidershipi serb po kërkon nga forcat e NATO-s që të bëjnë punën e tyre, duke shtuar se ata janë në Kosovë për të mbrojtur popullatën serbe “nga tërbimi i policisë shqiptare, e jo serbët nga serbët”.
Vuçiq ka vlerësuar se “Rubikoni është kapërcyer” dhe se sot dihet se nëse deri më 1 shtator arrihet një kompromis mes Beogradit dhe Prishtinës për dokumentet dhe targat personale, do të ketë probleme të reja më 31 tetor e kështu me radhë, sepse serbët nuk do të ndalen, “sepse autoritetet e Kosovës vetëm duan të shfuqizojnë shtetin serb dhe ekzistencën e serbëve në Kosovë”.
Ai shtoi se serbët nga Kosova i kanë thënë se, nëse nuk ndalet përndjekja ndaj tyre, në muajin e ardhshëm të gjithë politikanët serbë do të braktisin institucionet e Kosovës dhe se deri në fund të shtatorit këtë do ta bëjnë edhe gjyqtarët, policët dhe zyrtarët tjerë që do të çojë në “zhbërjen e plotë të Marrëveshjes së Brukselit”.
Presidenti serb gjithashtu theksoi se në veri të Kosovës është intensifikuar “çdo lloj aktiviteti i zbulimit” dhe se janë njoftuar me kohë personat që janë “në listën për likuidim të krijuar nga regjimi i Prishtinës, dhe të cilën disa shërbime të huaja e miratuan në heshtje ose me tundje të kokës”.
Duke folur për negociatat e zhvilluara së fundmi në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Vuçiq tha se Kurti ka thënë se të gjithë në Kosovë duhet të kenë targa RKS, jo targa KS të lëshuara nga UNMIK-u dhe të cilat janë me status neutral.
Ai ka thënë se autoritetet në Prishtinë kujdesen vetëm për shkatërrimin e jetëve të serbëve në Kosovë, dhe se kanë refuzuar të gjitha propozimet e Beogradit dhe se ideja e vetme e tyre është “tortura e popullit serb” dhe “dëbimi përfundimtar i tyre”.
Vuçiq tha se Prishtina ka ofruar një marrëveshje prej gjashtë pikash. Pika e parë janë parimet e përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe, që nënkupton njohjen reciproke të Serbisë dhe Kosovës dhe hyrjen e Kosovës në të gjitha institucionet ndërkombëtare.
Pika e dytë është zgjidhja e problemeve nga e kaluara, problemet e të pagjeturve, të dhunuarve, të shpërngulurve, problemi i shkatërrimit të pronës publike dhe objekteve që Serbia i vodhi Kosovës dhe duhet t’i kthejë, si dhe borxhi i luftës që Serbia duhet të paguajë për Kosovën.
Pika e tretë, për të cilën Vuçiq tha se nuk ishte e qartë për të, është bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në të ardhmen, dhe pika e katërt kërkon të drejta të barabarta të serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Pika e pestë kërkon rishqyrtimin e marrëveshjeve të arritura, sepse autoriteteve në Kosovë “nuk u pëlqen Bashkimi i Komunave Serbe”, dhe pika e gjashtë janë marrëveshjet përfundimtare.