Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Shkup bëri shpërndarjen e karrocave elektrike për persona me aftësi të kufizuara, raporton (AA).
Në ceremoninë e dorëzimit të karrocave morën pjesë kryetari Departamentit të TIKA-s për Ballkanin dhe Evropën Lindore, Mahmut Çevik, koordinatori i TIKA-s në Shkup Teoman Tiryaki, zëvendëskryetari i Komunës së Çairit Sulejman Baki, kryetari i Shoqatës Shpresa, Seferi Hiseni, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe qytetarë.

Në një prononcim para gazetarëve, Çevik tha se krahas projekteve sociale, TIKA zbaton edhe projekte shëndetësore dhe projekte për solidarizim social në rajon dhe Maqedoni.
Duke theksuar se projektet që përgatisin dhe zbatojnë fokusohen në njeriun dhe shërbimet për njeriun, Çevik u shpreh se ndihmat bëhen pa bërë dallime fetare, gjuhësore dhe racore.
Çevik vuri në pah se aktivitetet e tyre i zhvillojnë si “Heronj bashkëkohorë”, siç thotë ai, njëlloj siç ka porositur edhe presidenti Recep Tayyip Erdoğan.
“Në çdo projekt që zbatojmë, ne japim kontribut të realizojmë projekte që kanë domethënie dhe rëndësi të veçantë. Karrocat elektrike që i shpërndamë për bashkëqytetarët me nevoja të veçanta në fakt nuk janë dhurata, por kontribut për shpirtin e tyre luftarak dhe për të treguar se si organizatë turke për zhvillim jemi së bashku me ta në luftën e tyre. Ky nuk është projekti i vetëm për qytetarët me nevoja të veçanta, por ne japim përpjekje që duke zbatuar projekte të ndryshme, të jemi pranë vëllezërve tanë me nevoja të veçanta në Ballkan dhe Evropën Lindore”, tha Çevik.
Nga ana tjetër, Baki potencoi se ndarja e karrocave për qytetarët me hendikep dhe me nevojë është njëri ndër aktivitetet më të mira brenda kufijve të komunës.
Ndërkaq, Hiseni u shpreh se ndihet tejet i lumtur për këtë bashkëpunim, duke e falënderuar TIKA-n për mbështetjen.
Në kuadër të projektit u realizua ndarja e karrocave elektrike për dhjetë qytetarë me nevoja të veçanta.
Mbështetje për “Projektin për zhvillimin e pemëtarisë në Maqedoni”
Ndërkohë, në fshatin Timjanik në qytetin e Negotinës në pjesën qendrore të Maqedonisë, u realizua ceremonia e dorëzimit të fidaneve në kuadër të “Projektit për zhvillimin e pemtarisë në Maqedoni”.
Me këtë rast, Çevik u takua me fshatarët dhe dha informacione në lidhje me projektin.

Ai vuri në pah se projektet që i kanë realizuar në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë në kuadër të aktiviteteve në Maqedoni kanë domethënie të veçantë. “Kemi filluar me program për zhvillimin e bujqësisë në mënyrë që ta rrisim standardin e jetesës së familjeve në rajone rurale, bashkatdhetarëve dhe shoqërive të tjera dhe për të siguruar prodhim cilësor për familjet që jetesën e sigurojnë përmes bujqësisë”, vazhdoi Çevik.
Çevik rikujtoi se programin për zhvillimin e pemëtarisë e kanë filluar në vitin 2014, duke shtuar se duke bërë ndarjen e fidanëve për afro 60 familje dhe duke kontribuar me trajnime të ndryshme, ata kanë ofruar mbështetje për zhvillimin e një pemëtarie cilësore dhe për rritjen e nivelit të të ardhurave të këtyre familjeve.
Ai njoftoi se vitin e kaluar nga TIKA është bërë kërkesë në lidhje me kultivimin e qershive dhe arrave.
“Duke dhënë 7.200 fidane qershish dhe arrash, kemi kontribuar në rritjen e të ardhurave të këtyre familjeve nga ky sektor. Me zbatimin e këtyre projekteve, qëllimi ynë të ofrojmë kontribut për një solidarizim social në shoqëri. Ndërkaq, në fazën e dytë të këtij aktiviteti, ne do të vazhdojmë punimet për rritjen e të dhënave dhe grumbullimeve të bujqve në këtë rajon së bashku me ekspertë të bujqësisë në Turqi. Rrjedhimisht, duke i zhvilluar këto aktivitete, ne japim kontribute në sektorin e bujqësisë dhe ekonominë e Maqedonisë”, tha Çevik.