Nga Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) Manastir theksojnë se ngjarja është regjistruar dhe është vendosur sigurim në objektin me qëllim që pa pengesa të zhvillohet hetimi për këtë rast
Institucioni Kombëtar Muzeu i Alfabetit shqip në Manastir sot në ora 4 të mëngjesit është sulmuar duke ia dëmtuar fasadën, derën hyrëse dhe një dritare, transmeton (AA).
– MPJ e Shqipërisë dënon sulmin ndaj Muzeut të Alfabetit në Manastir
Sipas informacioneve të para, sot në mëngjes në ora 4 të mëngjesit disa persona të panjohur kanë hedhur shishe me lëndë djegëse (Koktej Molotovi) dhe më pas kanë dëmtuar derën hyrëse dhe dritaren e katit të dytë të Muzeut, si dhe pllakën përkujtimore të Muzeut. Më shumë detaje rreth hetimit do të shpalosen pas marrjes së informacioneve konkrete, njoftuan nga SPB Manastir.
Ndërkohë Ministria e Kulturës ashpër dënoi shkatërrimin e pjesës së jashtme të Institucionit Kombëtar Muzeu i Alfabetit në Manastir.
“Historia e popullit shqiptar është pjesë e trashëgimisë së përbashkët multikulturore që është karakteristikë e fuqishme e Republikës së Maqedonisë. Në këtë drejtim, apelojmë për përmbajtje nga dhuna dhe respektimin e trashëgimisë kulturore të shtetit tonë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.