Fillimi LajmeStoltenberg: Transformimi i FSK-së në ushtri, në kohë të gabuar

Stoltenberg: Transformimi i FSK-së në ushtri, në kohë të gabuar

nga Shekulli Agency

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se miratimi i projektligjeve nga Kuvendi i Kosovës që parashohin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri ndodhi në kohë të papërshtatshme.

“Ndiej keqardhje që ky vendim u mor pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO. Ndërkohë që transformimi i FSK-së është në parim një çështje që i përket Kosovës të vendosë, ne e kemi bërë të qartë se ky veprim është në kohë të gabuar”, tha Stoltenberg në një deklaratë me shkrim.

Stoltenberg tha se NATO mbështet FSK-në në mandatin e saj aktual dhe shtoi se me ndryshimin e këtij mandati, aleanca do të ngelet e detyruar të rishqyrtojë “nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në”.

Ai po ashtu ka theksuar se NATO mbetet e përkushtuar përmes KFOR-it për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Kujtojmë se në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës me një shumicë absolute miratoi tre projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, respektivisht projektligjin për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri, si dhe projektligjin për shërbim në FSK.

Votimi i projektligjeve të sotme pritet të dekretohet nga presidenti Thaçi, pas së cilës Kosova zyrtarisht bëhet me ushtri.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies