Në qytetin e Shkodrës është organizuar sot aktiviteti përkujtimor me rastin e përvjetorit të lindjes dhe vdekjes së poetit të himnit kombëtar të Turqisë, Mehmet Akif Ersoy.
Aktiviteti i organizuar nga Instituti “Yunus Emre” Shkodër nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, ka mbledhur së bashku përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, të institucioneve vendore në këtë qytet, studiues dhe studentë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha se të kujtosh Mehmet Akif Ersoy do të thotë të njohësh dhe kuptosh Turqinë dhe shoqërinë turke.
Ambasadori Yörük u shpreh se “Jemi mbledhur për të kujtuar personalitetin e madh dhe të shquar turk, poetin tonë kombëtar Mehmet Akif Ersoy. Bashkë me ju në Shqipëri në trojet nga erdhën paraardhësit e tij, përkujtojmë me mirënjohje dhe respekt Mehmet Akifin, të gjithë jetën e tij dhe kujtimin e tij të shtrenjtë”.
“Mehmet Akif Ersoy nuk është një intelektual, letrar, politikan dhe akademik që u përket vetëm turqve dhe Turqisë. Për shkak të origjinës së tij shqiptare, fakti që ka jetuar dhe shërbyer në Ballkan ai është një personalitet që i përket rajonit tonë gjeografik shpirtëror. Ai është një burrë i shquar i mendimit dhe i veprimit, ku në personin e tij janë bashkuar vëllazëria, lidhjet turko-shqiptare dhe kultura jonë e përbashkët. Vetëm po të njohësh atë kuptohet fryma e vërtetë e Himnit tonë Kombëtar dhe Poemës për Çanakalanë, të cilat janë vepra të përjetshme që ai na ka dhuruar, kuptohet se nga e merrnin frymëzimin e fuqishëm ato vargje të tij që na përlotnin sytë dhe na mbushnin zemrën”, tha ambasadori turk.
Ambasadori i Turqisë në Tiranë theksoi se Mehmet Akif Ersoy u shndërrua në një intelektual që rrallë herë ndeshet jo vetëm në Turqi, por edhe në botë, në njërin nga mjeshtrit e shquar të letërsisë dhe poezisë turke.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe drejtori i Institutit “Yunus Emre” Shkodër, Zafer Kıyıcı, i cili duke folur për personalitetin e Ersoy-t tha se “Në jetën e kombeve ekzistojnë ngjarje dhe personalitete monumentale tejet të rëndësishëm që u ndryshojnë atyre të ardhmen. Është e nevojshme t’i kujtojmë këta për një mirë edukim të brezave të rinj, në mënyrë që ta shohin besimplotë të ardhmen, të zbulojnë vlerat e reja në jetën e kombit dhe të mbajnë gjallë vetëdijen kombëtare”.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe hapja e ekspozitës me dokumente arkivore rreth jetës dhe veprimtarisë së autorit të himnit kombëtar të Turqisë, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 31 dhjetor 2018.
Mehmet Akif Ersoy, i cili njihet si “Poeti i Atdheut” dhe “Poeti Kombëtar”, lindi më 20 dhjetor të vitit 1873 dhe ndërroi jetë më 27 dhjetor të vitit 1936 në Stamboll.