
Më shumë se 3.700 civilë janë vrarë në Siri, që nga fillimi i fushatës anti-terroriste të Koalicionit Global të udhëhequr nga SHBA-të kundër DEASH-it në vitin 2014, tha sot grupi i të drejtave të njeriut me seli në Britani të Madhe.
Ndër të tjera raporti potencon se gjatë fushatës 5 vjeçare të udhëhequr nga SHBA-të në Siri, Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) bëri të ditur se sulmet e koalicionit anti-DEASH kanë marrë jetën e 3.737 civilëve, përfshirë 900 fëmijë dhe 650 gra, në vendin e shkatërruar nga lufta civile që nga 23 shtatori i vitit 2014.
Ndërhyrja ushtarake vrau rreth 250 civilë në vitin e parë, 400 në vitin e dytë, 750 në vitin e tretë, 430 në vitin e katërt dhe 200 të tjerë në vitin e pestë, thotë SNHR.
Qyteti verior Rakka është vendi ku u raportuan shumica e viktimave civile për shkak të sulmeve të forcave të koalicionit që mbështesin grupin terrorist YPG/PKK.
Humbje të jetëve në mesin e civilëve u raportuan gjithashtu në Halep, Deir ez-Zor, al-Hasakah, Idlib, Homs dhe Daraa.
Sipas raportit, forcat e koalicionit brenda 5 viteve shkaktuan 172 herë masakra.
Koalicioni kundër DEASH-it gjithashtu shënjestroi vedbanimet civile në disa sulme.
Bombardimet shënjestruan shkollat dhe tregjet të paktën 181 herë, thuhet në raportin e SNHR-së.
Sulmet detyruan më shumë se 560 mijë civilë të linin shtëpitë e tyre në Rakka, Deir ez-Zor dhe Al Hasakah.
Turqia ka qenë destinacioni kryesor për refugjatët që përpiqen të kalojnë në Evropë, veçanërisht që nga fillimi i luftës civile siriane në vitin 2011.
Rreth 268 mijë migrantë të parregullt u mbajtën në Turqi në vitin 2018, tha Ministria e Brendshme.