Fillimi LajmeShqipëri, lutje për ushtarët turq të martirizuar në Siri

Shqipëri, lutje për ushtarët turq të martirizuar në Siri

nga Shekulli Agency

Nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Zyrës së Këshilltarit për Çështjet Fetare pranë Ambasadës turke dhe me mbështetjen e Fondacionit Alsar është mbajtur programi i lutjeve kushtuar ushtarëve turq të rënë dëshmorë në Siri.

Në këtë program të organizuar në Xhaminë e Profetit në fshatin Mushqeta, në Njësinë Administrative Krrabë të Qarkut Tiranë, ishte i pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, zyrtarë të tjerë të institucioneve turke, qytetarë turq që jetojnë në Shqipëri dhe dhjetëra banorë të zonës, të cilët shprehën solidaritetin e tyre me popullin turk.

Pas lutjeve dhe leximit të pjesëve nga Kur’ani, vazhdoi falja e namazit të xhenazes në mungesë për ushtarët turq që kanë rënë dëshmorë në Siri, që u drejtua nga këshilltari për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Bekir Yanılmaz.

Ndërkohë, në mesazhin e ngushëllimit të Fondacionit Alsar, me rastin e këtij programi, thuhet se “Martirët turq e dhanë jetën e tyre në mbrojtje të jetës dhe paqes së sirianëve dhe gjaku i tyre u derdh për një mision fisnik”.

– “Arsyeja e pranisë së forcave tona të armatosura në Idlib është mbrojtja e civilëve”

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në një prononcim për AA tha se në rajonin Idlib ka një krizë shumë serioze njerëzore.

“Pas këtij sulmi të neveritshëm edhe ne sot jemi mbledhur këtu në Tiranë bashkë me qytetarët tanë dhe vëllezërit tanë shqiptarë për të organizuar një program mevludi. Jemi mbledhur edhe për t’i dërguar një përshëndetje ushtarëve tanë që sot janë ende në vijën e parë të frontit dhe që luftojnë për të ardhmen e vendit tonë. Jemi këtu për tu treguar atyre gjithashtu që jemi gjithmonë me ta dhe pranë tyre se dhe lutjet tona janë gjithmonë tek ata”, tha ambasadori turk.

Ambasadori Yörük tha se brenda vitit të fundit në qytetin e Idlibit i cili ndodhet në veriperëndim të Sirisë jetojnë afro 4 milionë civilë të cilët “janë preh e sulmeve tinzare dhe tradhtare të regjimit të Asadit dhe mbështetësve të tyre”.

“Në këtë periudhë rreth gjysma e këtyre civilëve që jetojnë në këtë rajon, pra rreth 2 milionë civilë sirianë janë drejtuar drejt kufirit me Turqinë, kjo për t’i shpëtuar sulmeve të regjimit të Asadit dhe për të mundur të gjejnë një strehë të sigurt, duke marrë fëmijët, gratë të rinjtë dhe të moshuarit me vete”, tha ai duke shtuar se, “Pas nisjes së luftë së brendshme në Siri në vitin 2011 prej 9 vitesh regjimi i Asadit ka vrarë më shumë se një milion civilë nga populli i tij. Rreth 10 milionë banorë u kthyen në refugjatë ku rreth 3.7 milionë civilë sirianë prej 9 vitesh për arsye humane dhe njerëzore i mbajmë në Turqi”.

Ai u shpreh se Turqia është vendi që është ndikuar më shumë nga të gjitha shtetet si pasojë e luftës në Siri si nga ana ekonomike, ajo e sigurisë kombëtare dhe nga ana shoqërore.

“Synimi jonë kryesor është që fillimisht në Idlib dhe më pas në të gjithë vendin të mundësohet një armëpushim dhe mënjanimi i humbjes së jetëve të civilëve. Për këtë duhet patjetër në mënyrë imediate ngritja e një zone të ndaluar ajrore. Arsyeja e pranisë së forcave tona të armatosura në Idlib është pikërisht mbrojtja e civilëve nga këto vrasje masive dhe në këtë kuadër janë duke luajtur një rol mburoje. Në këtë kuadër edhe ofensiva që kemi nisur nga data 27 shkurt është titulluar Mburoja e Pranverës”, u shpreh Yörük.

Nga ana tjetër, ambasadori turk tha se përpjekjet diplomatike të Turqisë janë shtuar, ndërsa përfaqësues të lartë nga SHBA dhe Evropa kanë vizituar Turqinë.

Kujtojmë se në fund të muaj shkurt, dhjetëra ushtarë turq ranë dëshmorë nga sulmi ajror i regjimit të Bashar al-Asadit në Idlib të Sirisë.

Disa ditë më parë Turqia nisi operacionin “Mburoja e Pranverës” për të zmbrapsur forcat e regjimit sirian të Bashar al-Assadit dhe për të parandaluar një krizë humanitare në Idlib.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies