
Partia e Veprimit Demokratik (SDA) me seli në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës dënon ashpër sulmet ndaj boshnjakëve në Pljevlja të Malit të Zi dhe provokimet çetnike të cilat kanë përjetuar boshnjakët ditët e fundit si dhe komunitetet tjera pakicë në të gjithë Malin e Zi.
“Me shqetësim të madh ndjekim shpërthimet e urrejtjes, intolerancës dhe ksenofobisë që shprehen në rrugët e qyteteve malazeze nga mbështetësit e partive politike serbomadhe, objektiv i të cilëve janë kryesisht boshnjakët”, thuhet në reagimin e SDA, duke shtuar:
“Pamjet që shohim dhe mesazhet që dëgjojmë na kujtojnë në mënyrë të pashmangshme vitet e ’90-ta të shelullit të kaluar dhe janë një vërejtje e madhe e asaj çka mund të ndodhë nëse ideologjia serbomadhe me ndihmën e partive të tjera të opozitës arrin të marrë Malin e Zi”.
Askush nuk duhet të qëndrojë indiferent ndaj kërcënimeve për një “Srebrenicë të re” në Pljevlja, theksoi SDA dhe as kërcënimet e tilla nuk mund të injorohen në një mjedis të tillë shoqëror siç është bërë Mali i Zi pas zgjedhjeve të fundit.
Institucionet shtetërore të Malit të Zi duhet të mbrojnë boshnjakët në Pljevlja dhe të identifikojnë urgjentisht autorët e krimit sepse plotësisht është e papranueshme që ata të lihen në mëshirën e ekstremistëve çetnikë, thotë SDA.
“Gjithashtu, udhëheqësit politikë në Mal të Zi duhet të dënojnë pa hamendje sulme të tilla ‘dhe kemi parë që deri më tani vetëm presidenti Millo Gjukanoviç dhe Partia Boshnjake e kanë bërë këtë ndërsa të tjerët me këmbëngulje barazojnë viktimat dhe autorët e krimeve duke u kërkuar nga ‘të gjitha palët’ të përmbahen duke fshehur qëllimisht situatën dhe duke inkurajuar dhunën”, thuhet në reagim.
Siç u njoftua, politikanët boshnjakë dhe shqiptarë mbajnë një përgjegjësi të veçantë, pa gishtat e të cilëve qeveria e egër nacionaliste që tregoi fytyrën e saj në Pljevlja nuk mund të ulet në fron.
“Kush mbjell kunguj me djallin duhet të jetë i vetëdijshëm se ai e ekspozon veten dhe njerëzit e tij ndaj skenarit të djallit të cilin e kemi provuar në të kaluarën e afërt”, përfundon deklarata.