Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se Shqipëria ka siguruar zyrtarisht 500 mijë dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit të ri (COVID-19) nga kompania Pfizer.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama tha se kanë dakorduar me akt normativ autorizimin e kontratës sipas marrëveshjes së konfirmuar zyrtarisht nga kompania Pfizer. Sipas tij, sasia e dakorduar do të paguhet menjëherë në bazë të termave dhe procedurës tip të kompanisë Pfizer me të gjitha vendet.
Rama tha 10.750 dozat e para do të mbërrijnë në Shqipëri në fillim të javës së tretë të janarit dhe sipas tij të tjerat në bazë të planit të vaksinimit.
“Kjo është nisja më e mirë e mundshme e këtij viti vendimtar të zmbrapsjes përfundimtare të armikut të padukshëm, por pa dyshim ky nuk është fundi i përpjekjes sonë për të garantuar që asnjë dozë e vaksinës të mos mungojë deri në fund. Do të vazhdojmë të përpiqemi siç jemi përpjekur me këmbëngulje dhe pa pushim nga katër anët, deri mbrëmë vonë që plani i vaksinimit të realizohet sipas parashikimit pa asnjë bllokim apo ngadalësim nga mungesa e dozave të nevojshme”, u shpreh Rama.
Ai u shpreh se gjithashtu kanë garantuar ditët e fundit edhe gatishmërinë e dy vendeve partnere për një total prej 9 mijë dozash në gjysmën e parë të janarit.
“E kemi kapërcyer kështu në kohë rekord besoj për pozicionin e disfavorshëm nga ku u nisëm hendekun që hapi në mes të Evropës vendimarrja absurde dhe e papranueshme moralisht, e pakuptueshme politikisht dhe pa justifikueshme logjikisht e Bashkimit Evropian (BE)”, tha Rama.
“Ne nuk do t’ia kthejmë shpinën Kosovës duke e lënë në pritjen dhe në ankthin torturues të fillimit të vaksinimit. Kosovës do t’i dhurojmë një sasi për vaksinimin e bluzave të bardha të spitalit COVID të Prishtinës”, shtoi kryeministri i Shqipërisë.
Rama tha se vaksina do të jetë falas dhe jo e detyrueshme, por ai shtoi se vaksina është e këshillueshme për të gjithë. Sipas tij, vaksinimi do të nisë në fillim me personelin shëndetësorë, pastaj mësuesit, efektivët e policisë në terren dhe moshat madhore mbi 75-vjeç.
Kujtojmë se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar se që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 58.316 raste pozitive me COVID-19, mes tyre 1.181 persona kanë ndërruar jetë dhe 33.634 janë shëruar.
