
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një takim të ndërmjetësuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka takuar sot edhe Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq në Paris.
Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentit të Kosovës, Thaçi në këtë takim ka konfirmuar se “Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë, në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila do të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara, duke i hapur kështu rrugë zhvillimit në Kosovë dhe integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian”.
Thaçi është takuar në Paris me presidentin Aleksandër Vuçiq në kuadër të Forumit të Paqes së Parisit. Forumi i Paqes i Parisit është iniciativë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për të bërë bashkë protagonistë të qeverive e të qeverisjes nga e tërë bota dhe për të diskutuar për ruajtjen dhe forcimin e paqes në botë.
Këtë vit në Forumin e Paqes në Paris marrin pjesë presidentë nga e tërë bota, përfaqësues të organizatave kryesore ndërkombëtare si OKB dhe BE, si dhe përfaqësues të kompanive dhe organizatave joqeveritare e think-tankeve më me ndikim në botë.