Fillimi LajmeMaqedoni e Veriut, dimri dhe pandemia përkeqësojnë më tej situatën e familjeve të varfëra

Maqedoni e Veriut, dimri dhe pandemia përkeqësojnë më tej situatën e familjeve të varfëra

nga Shekulli Agency

Varfëria është një nga problemet më të mëdha në Republikën e Maqedonisë së Veriut me të cilën përballen shumë qytetarë dhe familja Çallakovski nga fshati Mellnicë i Velesit është vetëm një nga shumë nga këto familje.

63-vjeçari Rexhep Çallakovski, i cili është kryefamiljari i kësaj familje të madhe, me një vështrim të shqetësuar dhe me një zë të brishtë për Anadolu Agency (AA) tregon për vështirësitë me të cilat përballen në jetën e përditshme.

Në një shtëpi të vjetër mbi një shekull, ai jeton me gruan e tij, vajzën e cila është një person me aftësi të kufizuara dhe nënën e tij, ndërsa deri vonë aty kanë jetuar edhe djali i tij me gruan dhe shtatë fëmijët, të cilët tani janë vendosur në një shtëpi që është në ndërtim e sipër, për ndërtimin e së cilës qytetarë të shumë kanë dhënë donacione.

Çallakovski thotë se në dy vitet e fundit ka vështirësi në shikim dhe nuk mund të shohë mirë, por përsëri, me punën e tij ai përpiqet të fitojë një gojë bukë për familjen.

“Kam kultivuar duhan për disa vjet, nuk mund të punoj më në duhan me ta (familjen time) dhe jetoj nga puna ime si mjeshtër ndërtimi, ku të gjej, aty punoj”, tha Çallakovski.

Ai thotë se e ndihmon djalin e tij në punët ndërtimore rreth shtëpisë në mënyrë që ajo të ndërtohet më shpejt dhe ata të jetojnë në kushte më të mira, sepse siç thekson ai, ka frikë se shtëpia e vjetër do të shembet.

Ditët e ftohta të dimrit dhe gjendja e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) përkeqësojnë edhe më shumë situatën tashmë të vështirë të kësaj familjeje të madhe që mbijeton nga dita në ditë.

“Jashtë fshatit nuk mund të punoj, është shumë e vështirë për mua të shkoj. Qoftë duhan apo diçka tjetër, ne do të duhet të bëjmë diçka”, shtoi Çallakovski, i cili shpjegon se familja jeton me 12 mijë denarë (rreth 200 euro), ndihmë shtetërore që marrin gruaja, vajza dhe nëna e tij.

Jeta e tyre e përditshme vështirësohet gjithnjë e më shumë nga moti i ftohtë

Atixhe Çallakovska, e cila është 83 vjeç, thotë se jeta e tyre e përditshme është e vështirë, por se ajo ka më shumë frikë të mos shembet shtëpia e vjetër nën ndikimin e kushteve të motit.

“Shtëpia është e vjetër, bie të fle natën dhe kam frikë të fle nga frika mos shembet. Kam shumë frikë, ku të shkojë një shpirt i vjetër?!”, thotë ajo, duke shtuar se jeta e tyre e përditshme vështirësohet gjithnjë e më shumë nga moti i ftohtë dhe me shi.

Megjithatë, brenga e saj më e madhe janë shtatë nipërit dhe mbesat e saj, të cilëve u dëshiron një të ardhme më të ndritur dhe një rrugëdalje nga varfëria dhe jeta e vështirë.

Prindërit e shtatë fëmijëve janë të papunë. Aktualisht, shtëpia e tyre është në ndërtim e sipër dhe ata shpresojnë që së shpejti të pajiset me ndihmën e vullnetarëve dhe të mund të jetojnë në kushte më të mira.

Ndërkohë, nipërit dhe mbesat për një moment harrojnë fëmijërinë e tyre të vështirë me lodrat e shpërndara në dysheme.

Fshati Mellnicë ndodhet rreth 25 km nga qyteti i Velesit. Sipas popullsisë lokale, fshati ka rreth 300 shtëpi, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 2002, në këtë fshat ka 767 banorë.

Fshati është i banuar kryesisht me popullsi muslimane të etnive të ndryshme.

Shumë njerëz janë shpërngulur nga ky fshat gjatë viteve. Në vitet e fundit, shumica në Evropën Perëndimore, ndërsa më herët, në vitet e 1900-ta, shumë banorë u shpërngulën në Turqi, kryesisht në Akhisar, Bursa dhe Izmir.

Varfëria në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq të vitit 2019, rreth 22,2 për qind e popullsisë së përgjithshme në vend konsiderohet e varfër. Organizatat joqeveritare që merren me këtë çështje tregojnë se sipas të dhënave të vitit 2017, ka të paktën 460.000 njerëz në vend që janë nën kufirin e varfërisë.

Çrrënjosja e përhershme e varfërisë tek sa më shumë familje është një nga qëllimet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila po zbaton disa masa që synojnë zhdukjen e varfërisë dhe ngritjen e standardit ekonomik.

ADMIR FAZLAGIKJ

Anadolu Agency

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies