Fillimi ReflektimDrejtësia kosovare do t’i ndjekë dhe gjykojë në mungesë serbët që kryen krime lufte në Kosovë

Drejtësia kosovare do t’i ndjekë dhe gjykojë në mungesë serbët që kryen krime lufte në Kosovë

nga Shekulli Agency

Ministria e Drejtësisë ka finalizuar ndryshime (nene) në Kodin e Procedurës Penale të cilat do t’i hapin rrugë Prokurorisë për gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se për të është shumë e rëndësishme përpjekja për rregullimin e gjykimit të krimeve të luftës.

Ai tha se ka ende punë me shtimin e kapaciteteve të Prokurorisë (Departamenti për Krime të Luftës) dhe Gjykatës (Departamentit Special për Krime të Luftës), por disa nene të ndryshuara së fundmi, që kanë të bëjnë me hetimin dhe gjykimin në mungesë të personave me vepra penale, do të kontribuojnë në këtë aspekt.

“Ne kemi pasur disa pengesa të cilat më herët kanë qenë teknike dhe i kemi përmirësuar tani. Por, gjithashtu kemi bërë edhe zhvillimin e këtyre dispozitave të cilat kanë të bëjnë me të gjithë ata kriminelë të cilët lëvizin të lirë në Serbi dhe të cilët i dimë ne që kanë kryer krime të luftës, që tash do të ndiqen në mungesë dhe do të gjykohen në mungesë”, theksoi Selimi

Gjithashtu ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale kanë të bëjnë edhe me luftën kundër korrupsionit, si nevojë “e domosdoshme që të shtrëngohen masat e luftës kundër korrupsionit”.

Tani e tutje, siç tha ministri, të gjithë atyre që janë në pozita zyrtare dhe u ngrihet aktakuzë, do të suspendohen nga puna menjëherë.

“Kemi bërë dy intervenime shumë të rëndësishme. E para është që për herë të parë ka hyrë neni apo nenet të cilat kanë të bëjnë me suspendimin e zyrtarëve të lartë që ndiqen për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pra, me këtë kod të ri të procedurës penale zyrtarët në kohën kur t’u ngrihet aktakuza do të suspendohen menjëherë. Pra, ky intervenim është i rëndësishëm pasi çdoherë që dyshojmë që dikush është duke e vjedhur shtetin, apo duke e keqpërdorur pozitën zyrtare për përfitime dhe favore, do të suspendohet menjëherë”, theksoi Selimi.

Një intervenim tjetër që ka të bëjë me korrupsion është përmendur edhe çështja e konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale, ku tani janë zgjeruar kompetencat e konfiskimit të pasurisë.

Ndryshimi i tretë që është bërë nga Ministria e Drejtësisë ka përfshirë dispozita të cilat parashohin rregullimin e çështjeve të gjykimit elektronik, duke mbajtur seanca gjyqësore virtuale, kjo si pasojë e problemeve të shfaqura gjatë pandemisë ku palët nuk kanë mundur të zhvillojnë seanca me prezencë fizike për shkak të koronavirusit, duke shkaktuar vonesa në drejtësi.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies