Fillimi LajmeKosovë, konferencë ndërkombëtare mbi dhunën seksuale gjatë luftës

Kosovë, konferencë ndërkombëtare mbi dhunën seksuale gjatë luftës

nga Shekulli Agency

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të saj ka organizuar konferencë ndërkombëtare përmes së cilës është bëre adresimi i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë ngjarje i ftuar special në përvjetorin jubile të kësaj qendre ka qenë Dr. Denis Mukwege, Laureati i Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2018.

Themeluesja dhe Drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti, në fjalën e saj tha se pas luftës së fundit në Kosovë kishte nevojë që viktimat civile të qëndronin në Kosovë. Rushiti deklaroi se puna e QKRMT-së ishte e ndarë në katër drejtime; në adresimin dhe sigurimin e ndihmës psiko-sociale për viktimat, sigurimin dhe përfaqësimin institucional, luftimin e paragjykimeve të shoqërisë dhe mundësinë e fuqizimit ekonomik të tyre.

Sipas Rushitit, një gjë e tillë nuk ka mundur të ndodhë deri në vitin 2014, kur viktimat e mbijetuar u bënë kategori ligjore me të drejtë për pension mujor. “Janë dashur vite të tëra, pothuajse 15 vite me radhë, jo vetëm për ne si organizatë por edhe rrjete të grave, me organizatat e tjera, me aktivistë të tjerë, komunitetin e artit, akademikë, njerëz të vullnetit të mirë, që të avokojnë fuqishëm, që të mbijetuarat e dhunës seksuale të kenë vendin e merituar në legjislacionin e Kosovës”, tha ajo.

Doktori i Republikës Demokratike të Kongos, Denis Mukwege njëherësh fitues i Çmimit Nobel për Paqe 2018 për Luftimin e Përdorimit të Dhunës Seksuale si Armë të Luftës, deklaroi se dhuna seksuale përdoret si armë në luftë dhe për këtë arsye nuk mund të krahasohet me dhunën seksuale në paqe.

“Kudo qe shkojmë për të takuar gra dhe vajza, por ndonjëherë edhe burra që janë abuzuar seksualisht gjejmë të njëjtën gjuhë, të njëjtin shkatërrim në raport me ato akte që personi mbetet i gjallë, por edhe pse ka mbetur i gjallë ai person e ka përshtypjen se nuk është më në jetë. Gratë më thonë, kur më kanë dhunuar, është sikur të më kishin vrarë”, tha Mukwege.

Mukwege tha se fakti që në Kosovë edhe 20 vjet pas luftës së fundit në Kosovë nuk është dënuar askush për dhunë seksuale përbën një mesazh negativ për të mbijetuarit, i cili shtoi se “Kudo në botë, ne kemi një sfidë për drejtësinë, vendase dhe ndërkombëtare”.

Ai gjithashtu vlerësoi Qeverinë e Kosovës për miratimin e legjislacionit të nevojshëm për të siguruar që të mbijetuarit e dhunës seksuale të njihen dhe mbështeten, dhe tha se viktimat duhet të inkurajohen të raportojnë.

Mbledhja u pasua nga një diskutim në panel ku përfshiheshin të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë, Vasfie Krasniqi-Goodman nga Kosova, Sopfi Mattee Obur Ayang nga Sudani si dhe Dalal Ali Khairo e cila i mbijetoi skllavërisë së DEASH-it.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies