Festimi i “Ditës së Diellit” në Korenë e Veriut dhe parada ushtarake e cila u mbajt me këtë rast, ka shqetësuar zyrtarët e Koresë së Jugut, të cilët, duke gjykuar sipas pamjeve, konsiderojnë se në paradë është prezantuar raketa balistike interkontinetale (ICBM).
Sipas agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut Yonhap, zyrtarët e këti vendit janë të shqetësuar. Është supozuar se Koreja e Veriut posedon ICBM, por nuk kishte asnjë konfirmim.
Raketat dhe makineri të tjera ushtarake të Koresë së Veriut janë prezantuar në mesin e shumë radhëve të ushtarëve të cilët marshuan në shesh. Një nga raketat ka tërhequr veçanërisht vëmendjen e analistëve të Koresë së Jugut, të cilët tërë ngjarjen e kanë ndjekur nga televizioni. Sipas mendimit të tyre, raketa e prezantuar, është raketa balistike interkontinentale.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un në fillim të këtij viti paralajmëroi se vendi i tij është duke u zhvilluar ICBM-në, me gamë të gjerë veprimi deri në SHBA.
“Dita e Diellit” në Korenë e Veriut është festa e shënimit të ditëlindjes të ish-liderit Kim Il-sung. Ditëlindja e tij që nga viti 1968 kremtohet si festë e madhe kombëtare. Kim Il-sung vdiq në vitin 1994, kuse tre vjet pas vdekjes së tij, kjo festë mori emrin “Dita e Diellit”.