Konferenca e iniciativës gjermano-franceze për koordinimin e donatorëve mbi tregtinë e paligjshme të armëve të zjarrit në vendet e Ballkanit Perëndimor, ka mbledhur në Tiranë ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë, zyrtarë të Gjermanisë dhe Francës, si dhe ekspertë, raporton Anadolu (AA).
Qëllimi i këtij aktiviteti është koordinimi me donatorët për financimin e masave të Shqipërisë për luftën kundër trafikimit dhe mbajtjes së armëve. I pranishëm në konferencë, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, e konsideroi këtë nismë si mjaft të rëndësishme.
“Keqpërdorimi i armëve dhe trafikimi i paligjshëm i tyre përbën për të gjithë ne një shqetësim vërtet serioz. Shfrytëzimi i tyre nga ana e organizatave kriminale si dhe më tej nga celulat terroriste aktive në kontekst global, natyrisht mbetet problematik. Për mënyrën se si veprojnë sot këto dy tipologji të kriminalitetit, të cilat dihet kanë marrë përmasa të mirëfillta transnacionale, shqetësimet i kalojnë kufijtë rajonalë”, tha Xhafaj.
Duke folur për arritjet në luftën kundër trafikimit të armëve, Xhafaj tha Shqipëria ka arritur rezultate të mira në luftën kundër trafikimit të armëve, sipas tij shkak të bashkëpunimit shumë të mirë mes policisë dhe doganave, por dhe bashkëpunimit me vendet fqinje.
Ndërsa ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, u shpreh se trafiku i armëve të paligjshme është një sfidë rajonale.
“Gjatë viteve të fundit janë marrë një sërë masash në drejtim të forcimit të bashkëpunimit mes strukturave tona ligjzbatuese dhe atyre të BE-së. Një hap i rëndësishëm është edhe krijimi falë ndihmës së BE-së i një regjistri elektronik të armëve të lehta që nga viti 2015 duke ndihmuar kështu në përmbushjen e angazhimeve tona si vend kandidat të detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni i BE-së në këtë drejtim”, tha Bushati.
Sipas Bushatit ky rrezik nuk mund të përballohet individualisht apo me politika të veçuara, sepse para se të jetë një sfidë kombëtare, sipas tij, është një sfidë për të gjitha shoqëritë e rajonit.
“Është e rëndësishme që të gjithë vendet tona të ndalojnë rreptësisht eksportin e armëve të lehta me vendet në konflikt dhe të unifikojnë qëndrimet dhe bazën legjislative në linjë me politikat e BE-së në këtë fushë”, deklaroi Bushati.
Franca dhe Gjermania kanë ndërmarrë një iniciativë të përbashkët të koordinimit të donatorëve në kuadër të luftës kundër tregtisë së paligjshme të armëve të zjarrit dhe të një kontrolli gjithëpërfshirës.