Fillimi LajmeKisha Ortodokse Serbe shpall autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase

Kisha Ortodokse Serbe shpall autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase

nga Shekulli Agency

Kisha Ortodokse Serbe (KOS) ka pranuar autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit (KOM-AO).

Në Ditën e shenjtorëve sllav Kiril dhe Metodi, kreu i KOM-AO, arqipeshkvi i Ohrit dhe Maqedonisë Stefan dhe kreu i KOS patriarku serb Porfir mbajtën liturgji të përbashkët në kishën “Shën Klimenti i Ohrit” në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup.

Liturgjinë e përbashkët e mbajtën krerët Stefani dhe Porfiri, ku morën pjesë ipeshkvij të KOM-AO dhe të KOS-it, si dhe një numër i madh besimtarësh.

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe (KOS), patriarku serb Porfir, tha se dashuria e besimtarëve i tejkaloi tundimet dhe i mundësoi Zotit të bënte mrekulli, t’u tregonte popujve se ata kanë nevojë për njëri-tjetrin, se pa njëri tjetrin nuk munden.

“Dhe tani, vëllezër dhe motra, ju sjellim një gëzim tjetër – Këshilli i Shenjtë i Ipeshkvijve të Kishës Ortodokse Serbe njëzëri dhe me vendosmëri e plotësoi kërkesën e Kishës Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit; Këshilli i kishës sonë bekon, miraton, pranon dhe njeh autoqefalinë e KOM-AO”, tha patriarku serb Porfir.

Arqipeshkvi Stefan shpalli sot kungimin me Patriarkun Ekumenik z.z. Bartolomeu. “Ja, në prag të kësaj feste dashurie, morëm një tjetër gëzim”, tha Arqipeshkvi Stefan.

Kujtojmë se më 9 maj të këtij viti, Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike, në seancën e kryesuar nga Patriarku Bartolomeu, miratoi vendimin për njohjen e Arqipeshkvisë së Ohrit si kanonike.

Ky vendim nuk nënkuptonte tomos për autoqefalinë që rregullon zyrtarisht emrin dhe statusin ndërkombëtar të Kishës Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit (KOM-AO), por ishte një njoftim se kisha nuk është më në përçarje me botën ortodokse.

Pak ditë pas njohjes, më 19 maj, në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, patriarku serb Porfir dhe arqipeshkvi i Ohrit dhe Maqedonisë, Stefani, me hierarkët e dy kishave mbajtën liturgjinë e pajtimit.

Siç u theksua atëherë, me liturgjinë, pas 55 vjet përçarje, u rivendos uniteti liturgjik dhe kanonik ndërmjet KOM-AO dhe KOS-it.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies