Minimalisht 18 muaj kohë për hetimin e çështjes kanë kërkuar unanimisht mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe mbrojtja e ish-pjesëtarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, David Hooper, në seancën e re në Dhomat e Specializuara ka thënë se ende nuk kanë filluar të mendojnë sa i përket nisjes së hetimeve.
Hooper ka thënë se është herët, pasi sipas tij, sapo i kanë marrë materialet dhe ende nuk kanë krijuar pikëpamje lidhur me materialin. Hooper dhe avokatët tjerë mbrojtës të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, unanimisht thanë se një afat prej 18 muajsh është minimum i kohës që i nevojitet mbrojtjes para se të nisë procesi i gjykimit ndaj të akuzuarve.
“Ne ende nuk kemi filluar ta krijojmë ekipin hetimor”, tha Hooper i cili bashkë me avokatët tjerë të të akuzuarve u pajtuan se gjysma e dytë e vitit 2022 mund të jetë e përshtatshme për fillimin e gjykimit.
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka thënë se kanë marrë hapat paraprak për krijimin e një mekanizmi hetimor. Emerson tha se kanë identifikuar një grup hetues me përvojë në Kosovë dhe do të rekrutojnë deri në 6 hetues.
Emmerson ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë që ta parashtrojnë dosjen gjyqësore në korrik ndërsa gjykimi të fillojë në shtator të vitit të ardhshëm.
Këtë kohë të fillimit të gjykimit, avokati Emmerson e ka quajtur “gijotinë”, për shkak të kohës së shkurtë që mbrojtja të përgatitet.
Në këtë konferencë gjyqësore u bë e ditur se Prokuroria deri më tani ka dorëzuar 1309 materiale mbështetëse të aktakuzës në shqip dhe në anglisht.
Në seancë përpos mbrojtjes së Thaçit dhe Veselit, mbrojtja e Jakup Krasniqit është përfaqësuar nga avokatja Venkateswari Alagendra ndërsa ajo e Rexhep Selimit nga avokati David Young.
Deri më tani konferencat për ish-presidentin Thaçi dhe të tjerëve janë mbajtur një herë në muaj dhe për këtë praktikë pati pajtim nga palët që të vazhdohet njësoj edhe më tutje, duke caktuar fundin e muajit janar të vitit 2021 si kohë kur do të mbahet konferenca e ardhshme për ecurinë e çështjes.
Aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa është bërë publike më 5 nëntor, ditën kur ai hoqi dorë nga pozita e Presidentit të Kosovës dhe të njëjtën ditë u transferua për në Hagë.
Mbi ish-presidentin Thaçi si dhe ish-pjesëtarët tjerë të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë rëndon akuza në të cilën thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.
