Kreu i Këshillit Shkencor të Francës, Jean-Francois Delfraissy, tha se edhe përkundër numrit rekord prej mbi 52 mijë raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19) të regjistruar dje, numrat e vërtetë në Francë mund të jenë sa dyfishi i numrave zyrtare duke arritur deri në 100 mijë.
Delfraissy, i cili është ndër këshilltarët kyç në Francë në luftën kundër COVID-19, për RTL Radio tha se “beson që ne jemi në rreth 100 mijë raste raste në ditë. Midis rasteve të diagnostikuara, atyre që nuk janë diagnostikuar dhe formave asimptomatike, ne jemi rreth këtij numri”.
“Ne jemi në një situatë shumë të vështirë, madje kritike. Ne jemi vetë të befasuar nga brutaliteti i asaj që ka ndodhur për 10 deri në 15 ditë”, tha Delfraissy, një specialist në imunologji.
Numri i të infektuarve me koronavirus në Francë ka tejkaluar 1 milion që nga e premtja. Rastet e regjistruara gjatë 24 orëve të fundit janë më të lartat deri më tani, njoftoi Ministria e Shëndetësisë mbrëmë, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve tani qëndron në rreth 1,14 milionë.
Me 116 viktima të tjera, numri i të vdekurve deri më tani u rrit 34.761. Numri i pacientëve të hospitalizuar është 12.176, ndërsa 1.816 prej tyre janë në kujdes intensiv.
Autoritetet shëndetësore franceze gjithashtu kanë bërë të ditur se vendi po i afrohet maksimumit të kapaciteteve të kujdesit intensiv, duke shtuar se shkalla e të testuarve që rezultojnë pozitivë po rritet nga dita në ditë.
Gjendjen e jashtëzakonshme në Francë u vazhdua javën e kaluar, ndërsa 54 nga 94 rajone franceze janë aktualisht nën orë policore gjatë natës, e cila fillon nga ora 21:00 deri në ora 06:00.
