Pas përfundimit të fjalimeve të liderëve të opozitës së bashkuar në protestën e sotme, disa nga protestuesit kanë filluar të hedhin gurë dhe koktej molotovi në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Pas përfundimit të fjalimeve të liderëve të opozitës së bashkuar në protestën e sotme, disa nga protestuesit kanë filluar të hedhin gurë dhe koktej molotovi në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku janë të vendosur njësitet e Policisë.
Pasi që fillimisht është tërhequr 20 metra larg rrethimit të oborrit dhe për 30 minuta nuk kishte reaguar, Policia e Kosovës filloi të hedh gaz lotsjellës në momentin kur i është vënë flaka objektit të Qeverisë.
Kanë qenë të kota thirrjet e figurave politike, ndër ta edhe deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimit i cili vazhdimisht ka bërë thirrje që protesta të mos prishet me veprime të dhunshme.
Një pjesë e madhe e mbi 20 mijë protestuesve kishin filluar të shpërndahen pasi që folësi i fundit, lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri e kishte shpallur të përfunduar këtë aktivitet. Por një numër i protestuesve të dhunshëm duke gjuajtur gurë dhe numër të madh të koktejit të molotivit ka provokuar reagimin e policisë e cila pas përdorimit të gazi lotsjellës ka ndërhyrë duke e shtyrë masën e protestuesve, me vendosjen e kordonit tek përmendorja Skënderbe i cili gradualisht po shtynë protestuesit në drejtim të Sheshit “Zahir Pajaziti”. Në aksionin policor i cili po vazhdon ka një përleshje të madhe ndërmjet protestuesve të dhunshëm dhe organeve të rendit, ku po përdoren edhe autoblindat me topa të ujit.
Aktualisht nuk raportohet për të lënduar, ndërsa njësitet e zjarrfikësve kanë reaguar për ta shuar zjarrin në ndërtesën e Qeverisë.