Pas përfundimit të fjalimeve të liderëve të opozitës së bashkuar, disa nga protestuesit kanë filluar të hedhin gurë dhe koktej molotovi në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Protesta e sotme e opozitës së bashkuar, Vetëvendosjes (VV), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës për Kosovën (NISMA) e cila kishte tubuar disa dhjetëra mijëra protestues, drejt përfundim të saj u shndërrua në demonstratë të dhunshme me gjuajte të gurëve dhe koktejeve të molotovit në drejtim të ndërtesës së Qeverisë, të cilës edhe iu vu flaka, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas përfundimit të fjalimeve të liderëve të opozitës së bashkuar, Ramush Haradinajt të AAK-së, Fatmir Limajt të NISMA-së dhe Visar Ymerit të VV-së, disa nga protestuesit kanë filluar të hedhin gurë dhe koktej molotovi në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku ishin vendosur njësitet e Policisë.
Fillimisht policia u tërhoq rreth 20 metra larg rrethimit të oborrit dhe për 30 minuta nuk reagoi.
Gjatë kësaj kohe, kujdestarët për ruajtjen e rendit nga radhët e partive opozitare që kishin të vendosur shirita të kuq rreth duarve, së bashku me disa figura politike opozitare, ndër ta edhe deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimit vazhdimisht kanë bërë thirrje që protesta të mos prishet me veprime të dhunshme, por kjo nuk pati sukses dhe situata u përshkallëzua me hedhje edhe më të shumta të koktejve të molotovit, duke iu vënë zjarri ndërtesës së Qeverisë.
Në momentin kur objekti i Qeverisë filloi të digjet, Policia e Kosovës reagoi duke hedhur gaz lotsjellës dhe duke vendosur kordonët e njësiteve të veta para përmendores Skënderbeu.
Ishte ky fillimi i aksionit gjatë të cilit policia në mënyrë sistematike ka shtyrë protestuesit nga Sheshi “Skënderbe” në drejtim të Sheshit “Zahir Pajaziti”, duke përdorur gaz lotsjellës dhe më vonë edhe autoblindat me topa uji.
Gjatë tërheqjes së tyre, protestuesit kanë gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të policisë, ku kanë lënduar disa policë dhe me koktej molotovi i kanë vërë flakën edhe dy automjeteve të blinduara të policisë.
Protesta e sotme filloi saktësisht në orën 14:00, para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ku protestuesit e tubuar, së bashku me liderët e opozitës së bashkuar kosovare, Vetëvendosjes, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, marshuan nëpër Sheshin “Zahir Pajaziti” dhe “Nënë Tereza”, deri tek Sheshi “Skënderbe”, para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku ishte e vendosur tribuna në të cilën folën liderët e opozitës, Ramush Haradinaj i AAK-së, Fatmri Limaj i NISMA-së dhe Visar Ymeri i VV-së.
Gjatë fjalimeve të liderëve para protestuesve të tubuar, situata ishte e qetë.
I pari i cili foli ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cila ka akuzuar dyshen e cila e udhëheq Qeverinë aktuale, Mustafa – Thaçi, sipas tij, për mashtrimin e popullit dhe shkeljen e Kushtetutës, me qëllim që t’i kalojnë fshehurazi marrëveshjet të cilat sipas Haradinajt e dëmtojnë Kosovën, por iu ruajnë “karriget” dyshes Mustafa-Thaçi.
Haradinaj shtoi se “pushteti po e tregon egërsinë e vet, duke e burgosur opozitën. Por mos harroni këto janë ditët e fundit të tyre”, tha ai duke përfunduar se “populli më nuk i duron Isa Mustafën e Hashim Thaçin”
Pas fjalës së Haradinajt, protestuesve iu drejtua Fatmir Limaj, lideri Nismës duke thënë se kjo qeveri ka rënë dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të lira pasi që qytetarët e Kosovës, sipas tij, sot janë bashkuar në Prishtinë, për t’iu mohuar të drejtën shkelësve të Kushtetutës që të qeverisin me Kosovë”
Limaj tha se Gjykata Kushtetuese ka treguar se kush e ka mbrojtur Kushtetutën e kush e ka shkelur atë.
“Sot qytetarët po i japim përgjigje qeverisë, që janë të gatshëm sa herë që rrezikohet vendi jonë. Jepni llogari për shkelje të Kushtetutës, nëse nuk jepni llogari, mos qeverisni me vendin tonë” ka thënë Limaj duke përfunduar se askush nuk ka mundur t’i bëjë ballë qytetarëve, të cilët ai i ftoi të qëndrojnë të bashkuar deri në shkarkimin e Qeverisë së Kosovës.
Në fund foli lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i cili tha që protesta e sotme është kundër Qeverisë aktuale e cila, sipas tij, ka rrezikuar ekzistencën e Republikës së Kosovës me nënshkrimin e marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi.
“205 mijë qytetarë që e nënshkruan peticionin, shumë kohë para Gjykatës Kushtetueses e kanë shpallur të pavlefshëm Asociacionin” tha Ymeri duke shtuar se dyshja udhëheqëse e qeverisjes aktuale e ka lidhur fatin e tyre me ‘Zajednicën’ dhe se nuk zgjedhë metoda për të mbetur në pushtet, madje duke burgosur deputetë të opozitës.
“Thaçi e Mustafa miqve të tyre Daçiqit e Vuçiqit mund t’ia japin pasurinë e tyre, por jo Trepçën, e pasurinë e Kosovës. Nëse ju mbetet diçka nga pasuria e tyre e vjedhur le t’i japin edhe Gjukanoviqit, por jo tokë të Kosovës” përfundoi Ymeri, pas fjalimit të cilit edhe u përshkallëzua situata në Prishtinë.
Sipas deklaratave të partive opozitare, numri i protestuesve ishte më i madhi në periudhën e pas luftës, duke kaluar shifrën prej 70 mijë njerëzve sipas AAK-së dhe mbi 100 mijë, sipas Vetëvendosjes.
Kriza politike në Kosovë filloi pas nënshkrimit të Marrëveshjes me Serbinë në Bruksel, më 25 gusht, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbeve, si dhe asaj për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Nga seanca e parë vjeshtore, opozita bllokoi punimet e Kuvendit të Kosovës duke mos lejuar miratimin e marrëveshjeve që i vlerësoi të dëmshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Gjatë kësaj periudhe, punimet e Kuvendit të Kosovës nuk funksionuan normalisht, pati pengesa dhe bllokime, madje edhe përdorim të gazit lotsjellës gjatë seancave, nga deputetët e opozitës. Si rezultat i këtyre veprimeve, një e treta e deputetëve opozitar e gjeti vetën në paraburgim apo arrest shtëpiak.
Në dhjetor, Gjykata Kushtetuese vendosi se marrëveshja për Asociacionin ka shkelur Kushtetutën në disa nga pikat e saj, për çka opozita kërkon dorëheqjen e Qeverisë.
Nga ana tjetër Qeveria ka deklaruar se marrëveshja për Asociacionin do të rishikohet dhe do të harmonizohet me Kushtetutën, në ato nene që Gjykata Kushtetuese i ka shpallur si jo kushtetuese, kurse për verifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi ka angazhuar një komision të pavarur ndërkombëtarë, me ekspertë nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
/AA/ Shekulli Agency