Ndërprerja e bojkotit të opotizës maqedonase vjen si pasojë e respektimit të marrëveshjes së arritur mes katër partive politike kryesore në vend, e njohur si Marrëveshja e Përzhinos me ndërmjetësim të bashkësisë ndërkombëtare.
Pas një viti e gjysmë, Lidhja Social Demokratike e Maqedonisë (LSDM) kthehet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Ndërprerja e bojkotit nga ana e opozitës maqedonase vjen si pasojë e respektimit të marrëveshjes së arritur mes katër partive politike kryesore në vend, e njohur si Marrëveshja e Përzhinos me ndërmjetësim të bashkësisë ndërkombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo marrëveshje ka për qëllim mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe korrekte, të cilat janë caktuar të mbahen në prill të vitit 2016. Që pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më 27 prill të vitit 2014, koalicioni opozitar i kryesuar nga LSDM vendosi të mos i pranojë mandatet dhe ta bojkotojë Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, me pretendimin se këto zgjedhje janë të falsifikuara.
Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, LSDM doli me një varg kërkesash, ku mes tjerash kërkoi edhe Qeveri teknike, e cila sipas tyre, do të organizonte zgjedhje të lira demokratike. Kjo kërkesë u refuzua nga partia në pushtet VMRO-DPMNE, ku me këtë rast filloi kriza politike në vend. Kjo krizë akoma më shumë u thelluar me rastin “Puç” kundër liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev, ndërsa më vonë edhe me shpalosjen e materialeve nga ana e opozitës, të cilat sipas tyre, dëshmojnë krimet e pushtetit.
Pas shpalosjes së bisedave të përgjuara telefonike dhe bojkotimin e Kuvendit të Republikës së Maqedoni nga opozita maqedonase, u krijua një gjendje tejet e rëndë politike. Nga njëra anë bashkësia ndërkombëtare bënte thirrje për kthimin e opozitës në Kuvend për të zhvilluar betejën politike, ndërsa nga ana tjetër vazhdonte publikimi i bisedave të cilat sipas opozitës janë bërë nga Drejtoria për Zbulim dhe Kundërzbulim.
