Pas aksionit antidrogë të zhvilluar një ditë më parë në Zakynthos, cilësuar si më i madhi operacion në Patra, mediat greke flasin për një shqiptar, duke e etiketuar si baronin e drogës, apo “Pablo Escobarin” e Ballkanit. Sipas mediave, ai është 44 vjeç, biznesmen i njohur dhe që ka lidhje të fuqishme me politikën.
Pa i përmendur emrin, mediat shkruajnë se 44-vjeçari financonte një parti të opozitës greke. Ai mbante lidhje me një 46-vjeçar grek, drejtues i lartë i mafias greke. Banda kriminale e trafikut kishte lidhje të fuqishme në Belgjikë, Holandë, Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi. Dyshohet se kanabisi vinte nga Shqipëria për t’u shpërndarë më tej në Evropë.