Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, vlerësoi sot periudhën postzgjedhore të vendit në një transmetim të drejtpërdrejtë në ekranet e radiotelevizionit shtetëror, TRT.
“Në kushtetutën aktuale kemi një sistem të programuar për të krijuar në çdo çast probleme ndërmjet postit të presidentit dhe atij të kryeministrit”, theksoi Davutoglu, duke shtuar se shteti dhe demokracia kanë nevojë për restaurim.
Ai vuri në pah gjithashtu se nuk është e drejtë që debatet rreth kushtetutës së re të ngrihen vetëm mbi sistemin presidencial.
Pasi sqaroi se kushtetuta e re nuk duhet të bjerë ndesh me akumulimin kulturor të Turqisë dhe njëherësh duhet të jetë në përputhje me vlerat universale, kreu i Ankarasë zyrtare vijoi me fjalët: “Fillimisht të mbushim njëherë brendësinë e kësaj, pastaj le të flasim për mekanizmin, pra, për sistemin qeverisës.”
Duke nënvizuar se gjatë këtij procesi duhet të lihen mënjanë llogaritë dhe interesat personale, shefi i ekzekutivit turk bëri thirrje për të hartuar së bashku një kushtetutë të re, me të cilën do të krenoheshin edhe gjeneratat e reja vite më vonë.
Kryeministri Davutoglu shprehu dëshirën e tij për t’u takuar, pas formimit të qeverisë, me liderët e opozitës për diskutuar në lidhje me të gjitha çështjet në rend të ditës, përfshi këtu dhe kushtetutën e re; ndërsa potencoi se sistemi qeverisës është një pikë e rëndësishme, që duhet rishikuar, por edhe se nuk është e drejtë që debatet rreth kushtetutës së re të ngrihen vetëm mbi sistemin presidencial.
“Bëhet fjalë për një kushtetutë, që hap telashe në çdo fazë dhe që nuk shpalos dot një opsion të qartë. Nuk po flasim për një sistem mirëfunksionues, që po zëvendësohet me sistemin presidencial. Çështja nuk duhet të trajtohet si zgjerim i kompetencave të presidentit. Kemi një sistem të programuar për të krijuar në çdo çast probleme ndërmjet postit të presidentit dhe atij të kryeministrit. Shteti dhe demokracia kanë nevojë për restaurim. Kushtetuta e re do të në hapte horizontin. Çfarë kushtetute do të hartojmë? Si do të nxjerrim në plan të parë kushtetutën, që vendos në qendër të vëmendjes njeriun dhe jo shtetin? Të flasim dhe të biem dakord rreth këtyre çështjeve. Pastaj të zhvillojmë së bashku një mekanizëm politik të përshtatshëm”, tha ai.
“Bindja jonë është një sistem presidencial i përkufizuar mirë dhe i bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve”, përfundoi Kryeministri Davutoglu.