Përgjegjës për skandalin e borxheve janë Avdullah Hoti dhe Isa Mustafa
Disa nga ata që u falën e kanë vendin në burg
Ligji Nr. 05/L-043 për Faljen e Borxheve Publike, si shumë ligje të tjera, kaloi pa u lexuar dhe kuptuar në Kuvendin skandaloz të Kosovës, në përmbajtje ka natyrë të pastër kriminale
E ashtuquajtura falje e borxheve ndaj institucioneve publike në fakt është financim i krimit dhe kriminelëve. Vetë Ligji Nr. 05/L-043 për Faljen e Borxheve Publike, i cili si shumë ligje të tjera kalon pa u lexuar dhe kuptuar në Kuvendin skandaloz të Kosovës, në përmbajtje ka natyrë të pastër kriminale. Paragrafi i parë i Nenit 3.1 të Ligjit, në mes tjerash, e përkufizon borxhin publik si kategori që përfshin ndëshkimet dhe çdo lloj obligimi tjetër që rrjedh nga mospagesa me kohë e borxhit. Edhe paragrafi i dytë për borxhin bazë apo kryegjënë e parasheh të njëjtën gjë. Neni 7 parasheh që sipas propozimit të Ministrisë së Financave, Qeveria e Republikës së Kosovës miraton një akt nënligjor për zbatimin e këtij ligji. Kjo do të thotë se përgjegjës për këtë skandal të ashtuquajtur të borxheve janë Avdullah Hoti dhe Isa Mustafa, të cilët rrezikojnë ta paguajnë me kokë faturën e këtyre krimeve. Kjo për shkakun se të parët që përfituan nga falja e borxheve nuk kishin të bënin fare me borxhe, por me plaçkitës që kanë kryer vepra penale të vjedhjes, keqpërdorimit të parasë publike, dhe pasurimit të paligjshëm, e të cilët është duke i ndjekur gjykata, madje disa prej të amnistuarve nga Ministria dhe ATK-ja aktualisht janë duke e vuajtur dënimin në burg.
Anomalitë e ligjit
Si shpjegohet fakti që Zyrës së Kryeministrit gjatë periudhës 2000-2008 i falen 493 mijë euro borxhe ndaj ATK-së? Do të thotë, kjo Zyrë nuk ka paguar tatime, dhe të njëjta para si obligime tatimore i kanë përvetësuar klanet, çka shihet edhe me ndërtimet e vilave të tyre, apo i kanë bërë rrush e kumbulla në forma të tjera në kundërshtim me ligjin? Si mund të jetë Zyra e Kryeministrit borxhli kur ajo e ka buxhetin e fiksuar dhe nuk guxon të shpenzojë më tepër përtej zërave buxhetor dhe planit? Apo, kanë shpenzuar më tepër në dreka, darka, hotele, bileta të klasës së biznesit, telefona, e pse jo edhe në shtëpitë publike, sepse është “përgjegjësia shtetërore” e këtyre faqezinjve? Kush ka nevojë për këta kriminelë? Vetëm burgu dhe askush tjetër. Edhe më skandaloz duket rasti i faljes së afër 2 milionë eurove një avokati të quajtur Kolë Puka kundër të cilit gjykatat kosovare kishin shqiptuar hiç më pak se tri dënime me burg për veprimtarinë e tij të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, shpëlarjen e parave dhe mashtrime. Kështu bëhet financimi i kriminelëve dhe hajdutëve nën maskën e faljes së borxheve, kur MF-ja dhe ATK-ja ndërmarrin veprime mbi vendimet e gjykatave. Po shihet qartë se kush qenka mbi ligjin.
Fundi i një regjimi kriminal
Borxhi dhe plaçkitja kanë dallim përmbajtësor. MF-ja dhe ATK-ja nuk janë duke falur borxhe, por po financojnë kriminelë. Personat kyç në këto institucione ua thithin gjakun me pambuk tërthorazi duke i financuar kriminelët. Mos të harrojmë se edhe regjimet e Milosheviqit dhe Hitlerit kanë vepruar në përputhje me ligjet e tyre, por në fund është dashur ta paguajnë me kokë, jo vetëm ata, por edhe rrethi i gjerë i tyre dhe një pjesë e madhe e gjeneratave të ardhme. Kështu do të ndodhë edhe me regjimin e tanishëm kriminal të Kosovës. Ka vetëm vakarrim në ndëshkimin e tyre, por shpëtim kurrsesi.
