Në kohën kur gjithë vëmendja në Maqedonisë është përqendruar në problemet politike, sikur është harruar fakti se problem jo më pak i madh në Maqedoni është papunësia, që është 24.6% dhe vazhdon të jetë problemi kryesor i qytetarëve. Aq më shumë kjo gjendje është alarmante në vendbanimet shqiptare.
Në të vërtetë, ashtu siç kemi theksuar dhe kemi tërhequr vërejtjen qysh moti për diskriminimin etnik që shfaqet gjithkund në këtë shtet, me këtë rast do të vëmë re se edhe papunësia ndryshon nga regjioni ku banojnë maqedonas dhe shqiptarë. Në këtë mënyrë, në regjionin lindor papunësia është 17.5%, në regjionin juglindor është 16.7%, në regjionin e Pellagonisë është 21.1% (të gjithë këto janë zona me shumicë maqedonase), ndërsa në zonat shqiptare shifrat janë alarmante – në rajonin jugperëndimor është 34%, në rajonin e Pollogut është 30%, kurse në rajonin verilindor, ku bie Likova, papunësia arrin deri në 43.2%.
Siç dëshmojnë edhe këtë shifra, Qeveria e Maqedonisë, e përbërë nga shefi VMRO-DPMNE dhe argati BDI, edhe këtu vazhdon të bëjë dallime dhe diskriminime. Derisa VMRO-DPMNE-ja është kujdesur që gradualisht ta zbusë papunësinë në vendbanimet maqedonase, kjo nëpërmjet investimeve të huaje dhe projekteve të tjera qeveritare te ndryshme, BDI-ja ka shkaktuar mjerim në pjesën shqiptare. Prandaj nuk është i rastësishëm migrimi i madh i shqiptarëve nga këto zona.
Duke synuar barazinë në të gjithë fushat, pra edhe në zhvillimin e barabartë regjional ekonomik, Lëvizja Besa e pyet BDI-ne se pse lejon të bëhet ky diskriminim i madh ndaj shqiptarëve dhe për çfarë i duhen shqiptaret kësaj garniture qeveritare – vetëm që të paguajnë tatime dhe kontribute të ndryshme ndaj shtetit apo i duhen BDI-së që t’i detyrojë ta votojnë?
Meqë parimi bazë i BESËS mbetet RIDEFINIMI, Lëvizja BESA premton se ardhja e saj në pushtet nënkupton edhe zhvillim të barabartë ekonomik të vendit dhe përfundim të këtij lloji të diskriminimit. Nëse të gjithë paguajmë kontribute njësoj, edhe kemi të drejtë edhe të kemi mirëqenie të njëjtë.