Çdo natë të ëndërroj edhe pse ende s’të kam parë, apo ndoshta të kam parë sa e sa herë dhe nuk e kam ditur që je ti, ajo që kërkojë. Po nuk ka gjë, këtë do ta mësoj me kohë. Ne mund të kalojmë pranë njëri – tjetrit e të mos përshëndetemi apo mund të jemi me mira kilometra larg ,por kjo nuk ka rëndësi, aspak nuk ka rëndësi, ajo që ka rëndësi është se unë jam vetëm i yti dhe ti je vetëm e imja sepse kjo është vendosur e vulosur ende pa ardhur këtu. Nuk ka rëndësi,aspak nuk ka rëndësi nëse më duhet të lodhem duke të të kërkuar ty apo se ti duhet të lodhësh duke më kërkuar mua, ky është çmimi që duhet të paguajmë për fitoren. E rëndësishme është se ti më pret dhe unë të pres,se ti më kërkon dhe se unë të kërkojë, e rëndësishme është se ne do ta gjejmë njëri tjetrin. Dashuria jonë dhe festa që do të bëjmë do të bëjnë që të harrohen përgjithmonë ankthi i pritjes dhe ditët e vetmisë. Nuk e di në të kam parë ndonjëherë, por e ndjej se dy zemrat tona janë takuar mes vete, janë takuar atje, tek burimi i dashurisë,tek ai burim i pashtershëm ku çdo zemër furnizohet me dashuri, tek burimi, atje lart.
Poezi/Letërsi
VIOLINA
Më lidh disa tinguj e imja violin
Të thur disa vargje për dashurin
Luaj sonte edhe pak për mua
Ti tregoj asaj se sa shumë e dua…
AH
Ah sa e bukur duket kjo natyrë
gjethet që pikojnë ngjyrë ngjyrë
Të mbush jeten shumë gjallëri
dhe një zemer plot dashuri.
MË FAL
Më fal që vazhdimisht të kërkoj,
Më fal që me dashurin time të shqetsoj !…
Më fal që ç’do çast dua të jem me ty,
Kjo është dashuria ime,
të dua ndryshe unë nuk di !!!
NËNË
Për çdo mëngjes ti je agim
Je dritë për syrin tim,
Je pranvera ime ti o Nënë
Je diell për mua je dhe hënë.
Allahu të dhuroft gjithmonë gëzim
Nënë të dua më shum se shpirtin tim.
PICTURE IN THIS MOMENT
Çdo fillim ka një mbarim, por
kujdesu që mbarimi të jetë i suksesshëm…
Për çdo veper që bëjm të shpërblyer do jemi
Atë që kemi mbjell atë do të kemi.
Ai ishte i tëri i pushtuar nga ndjenjat për te. Fillimisht ajo u tregua e kujdesshme teksa përpiqej ta ndizte, duke i mëshuar vetëm te vendi i duhur dhe jo atje ku atij mund t’i dhembte. Ai ndjeu një kënaqësi të skajshëm, por efekti i dëshiruar, për zhgënjimin e tij të madh nuk erdhi. E kishte të qartë se ndjesitë e tij diku mjegulloheshin dhe ndonëse ishte i vërshuar një pasion i madh për të, në të njejtën kohë kishte edhe ndjesitë se nuk e kontrollonte dot veten. Diçka tek ai ishte shkëputur dhe nuk ishte i sigurt nëse problemi vinte nga truri apo nga shtylla kurrizore. Pavarësisht intensitetit, me të cilin dëshironte të bënte dashuri me të, e ndjeu që frika i zbriti poshtë. Teksa ajo ishte shtrirë e gatshme sipër tij, filloi të bindej se nuk do të funksiononte dhe mendoi që ishte treguar i marrë dhe budalla që kishte dashur të provonte.
Ajo nuk kishte as idenë më të vogël për çka që po i ndodhte atij dhe donte shumë që të bënin dashuri. Donte të ndiente afshin e tij. Ajo e kishte vë re qartë se herën e parë mund edhe të mos shkonte mirë. Ai kishte kaluar një traumë të madhe dhe ishte më se e natyrshme se duhej të prisnin me durim që ai të rifitonte aftësitë seksuale.
Nuk donte që ai të vihej para sfidës, por t’i jepte kurajo dhe jetë. Por në vend të shpresës, ajo pa dëshprim në syte e tij, dhe përpjekjet e tij të dështuara për të konsumuar pasionin.
Është bër rregull zemër…në rregull fare…duhet ca kohë…” mërmëriti ajo dhe u kap pas tij, por ndjeu që ai e shtyu dhe u kthye. Ishte i dërmuar që nuk ishte në gjendje të bënte dot dashuri me të. Atij kjo nuk mund t’i shkulej dot nga mëndja, teksa rrinte shtrirë përbri saj. Gjithçka që ajo thoshte duke e mbajtur shtrënguar, vetëm se ia rëndonte edhe më shumë gjendjen. U betua me vete, që nuk do ta provonte kurrë më. Pavarësisht butësisë dhe dashurisë së saj, ai do të provonte poshtërimin më të madh qysh pas aksidentit. Ishte dita më e keqe e jetës së tij. Me një fjalë, nuk ishte më burrë. Asgjë mbi faqe të dheut, tha me vete nuk do të provoj sërish.
Rrëshqiti poshtë mbulesës dhe u mbulua.
Ishte fundi i tij. Fundi i jetës së tij si burrë. Kështu i dukej.
Eroll VELIJA
Libri është një burim themelor i dijes njerëzore, por edhe udhëzues masiv i komunikimit. Sa ka interes për leximin e librave në rajon dhe sa projekte letrare zbatuan institucionet vitin e kaluar mbi botimin e librave dhe shkrimeve, janë pjesë e temave të analizës së Anadolu Agency (AA).
Institucionet në Shqipëri zhvillojnë politika për nxitjen e leximit
Ministria e Kulturës e Shqipërisë për të nxitur leximin në tetor të vitit 2016 organizoi Fushatën Kombëtare të Leximit, nën moton “Takohemi për një Libër”, që kishte si synim të orientojë shoqërinë, në veçanti brezin e ri, drejt kulturës së të lexuarit. Sipas ministrisë në këtë fushatë u përfshinë mbi 8 mijë lexues, ndërsa institucioni në fjalë ka hartuar një program specifik dhe politika për nxitjen e kulturës së leximit.
Sipas këtij institucioni, gjatë vitit 2016 bibliotekat publike në Tiranë u pasuruan me 1.200 libra të rinj. Ministria e Kulturës, gjithashtu ka realizuar edhe një anketim në gjithë territorin e vendit për gjendjen ku ndodhen bibliotekat publike, duke konstatuar se “kanë gjetur një situatë të harruar si nga kushtet fizike, ashtu dhe nga pasurimi i tyre”.
Nga ana tjetër, sipas të dhënave të Institut të Statistikave që i referohen Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, në periudhën 2013-2015 numri i abonentëve në Bibliotekën Kombëtare ka shënuar rritje, ku në vitin 2015 arrin në 6.382, ndërsa numri i frekuentuesve në sallat e leximit gjatë këtij viti ka shënuar shifrën 207.924.
Ndërkohë, studimet e fundit tregojnë se 13 për qind e shqiptarëve lexojnë më pak se 3 libra në vit, ndërsa 18 për qind janë personat që lexojnë 6-8 libra në vit. Studimet konstatojnë se përdorimi i shpeshtë i internetit ka sjellë uljen e numrit të të rinjve që lexojnë librat.
Në Kosovë lexohen libra profesional të fushave të ndryshme
Shefja e departamentit të informacionit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Zize Kraja, për AA bëri të ditur se në Kosovë, përkatësisht në Bibliotekën Kombëtare më tepër lexohen librat profesional të fushave të ndryshme. Duke marrë parasysh se biblioteka më tepër frekuentohet nga studentët, Kraja thotë se koha që më së shumti lexohen libra dhe frekuentohet biblioteka është koha e provimeve të vitit akademik. Ajo thekson se përveç studentëve, biblioteka vizitohet dhe nga qytetarët, por në numër më të vogël.
Kraja shprehet se nuk kanë të dhëna të sakta në lidhje me atë se sa libra lexojnë në muaj qytetarët e Kosovës.
Sipas saj, niveli i leximit të librave nuk duhet të krahasohet vetëm me periudhën e ish-Jugosllavisë, duke theksuar se për shkak të teknologjisë dhe internetit në përgjithësi në botë ka një rënie të lexueshmërisë.
Ajo shton se Biblioteka Kombëtare posedon rreth 300 mijë tituj librash të fushave të ndryshme në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera.
Nga ana tjetër, përgjegjës i Sektorit të Pasurimit të Koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare, Besnik Gashi, për AA bëri të ditur se gjatë vitit 2016 në bibliotekë kanë hyrë 2.038 tituj të librave. Ai po ashtu njoftoi se sipas të dhënave që posedojnë, në vitin 2016 në Kosovë janë botuar 1.304 libra.
Në Maqedoni bibliotekat kanë dyfish më shumë libra nga banorët
Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, në mbarë territorin e Maqedonisë gjithsej ka 174 biblioteka, prej të cilave më e madhe është Biblioteka Kombëtare dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup. Ajo ka pak më shumë se një milion tituj të ndryshëm të librave, ndërsa nga ato ka pak më shumë se 1.100.000 kopje. Sipas statistikave, biblioteka ka 154.903 anëtarë aktiv, por ky numër vazhdimisht ndryshon, pasi që çdo ditë regjistrohen ose ç’regjistrohen anëtarë të bibliotekës.
Të gjitha bibliotekat në Maqedoni nuk ofrojnë hapësirë për lexim, që do të thotë se në disa prej tyre mund vetëm të huazohet libri, por jo edhe të lexohet në bibliotekë. Në total, sipas të dhënave nga muaji gusht i vitit 2015, në vend ka 3.537 vende në biblioteka.
Në mediat elektronike të Maqedonisë, në muajin gusht të vitit 2015 u publikua se në Maqedoni ka dy herë më shumë libra se sa ka vendi lexues. Sipas këtij publikimi, në bibliotekat e Maqedonisë ka një numër të madh të titujve të ndryshëm të librave, edhe atë 2.787.012 tituj, ndërsa numri total i libra arrin edhe deri në 5.524.822.
Sipas Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë, në vitin 2016 në fushën botuese përmes kësaj ministrie janë realizuar 425 projekte, prej të cilave 86 ishin për gjuhën shqipe. Bëhet fjalë për 332 publikime, 37 revista, 26 edicione elektronik dhe 35 projekte letrare.
Hulumtimet e fundit tregojnë se në Maqedoni ekziston interesi për librin. Rreth interesit në leximin e librit, klubi “Matica” nga Shkupi në periudhën qershor-dhjetor të vitit 2016 kreu një hulumtim në të cilin u përfshin 947 të anketuar. Ky hulumtim tregon se qytetarët e Maqedonisë mesatarisht në muaj lexojnë nga dy libra, si dhe se qytetarët e këtij vendi kanë vetëdije të lartë dhe respekt ndaj librit, ndërkohë edhe ndjekin trendet botërore të tregut letrar.
Rrugës i ngelur vetëm sonte, mu kujtua e ktheva kokën të të shoh. Hënë, ka ca netë që jo vetëm unë por askush nuk e kthenë kokën nga ti. Bardhësia e qytetit tim ia ka tejkaluar ndriçimit tënd, madje dritat reflektonin deri në qiell, ka zbardhur natën. Moj hënë, se si kjo borë për një natë mbuloi gjithçka, me gjithë grimcat e helmit në ajrin e ndotur të qytetit tim. Tani kujdesem ku shkel, nga frika mos e ndoti qytetin të ndriçuar plotësishtë. Dhe vetëm tani e shoh sa i bukur do të ishte, sikur të mos e ndotnim qytetin e mrolur.
Si nuk pati ca fjolla bore të nanurisnin pak në zemrat tona te ndotura! Të mbulojnë zhgënjimin, ankthin, pabesinë dhe të gjitha ngjyrat tjera të errëta. Le të bjerë o Mëshirëplotë, le të ndriçojë krahërorin me bardhësi, e të tregoj që ajo më parë i takonte dashurisë. Derisa lamë vend gjithë ndrytësirave të shkelin e të lënë gjurmët. Le të bjerë…
Rami Kamberi
Të kuptosh se dashuria nuk është lojë jete, por ndjenjë që të lidh me të pamundurën në kuptimin jetik, këtë na e dëshmon libri me tregime, që kërkon te jesh kalorës i jetës, drejtë shtigjeve, për të gjetur të panjohurën dhe të pamundurën.
Pra, ecja drejt të pamundurës në kuptimin jetik, për dashurinë, është vëllimi i ri me tregime i shkrimtarit Eroll Velija. Them kështu, sepse vetë titulli i librit Të dua e panjohur të drejton andej, ku dashuria nuk preket në kuptimin fizik, por, kërkohet nëpër rrugët e jetës, ashtu siç e imagjinon vetë autori dhe atë:
• Duke e shtruar dashurinë, mbi shtratin e imagjinatës,
• Duke e kërkuar lumturinë e dashurisë, mbi ëndrrën e jetës,
• Duke e kërkuar jetën, nëpër lumturinë e panjohur dhe,
• Duke u dashuruar në dashurinë e të panjohurës.
Më tej, po të udhëtojmë nëpër tregimet e librit, do të shohim edhe drama jete mes dashurisë dhe jetikes, dhe ecjet që here-herë intrigojnë rrugën e ecjeve kah dashuria për të ra nën ndikimin e mendimit të botëkuptimit apo më mirë thënë të bindjes së lidhur për madhoren e jetës tradicionale, që më së miri na e tregon fundi i librit me tregimin Ndenja e inferioritetit, ku autori pyetet se pse jeta nuk jetohet sipas parimit të besimit të dashuri të sinqertë, dhe atë duke u pyetur, pse nuk jetohet dhe pse nuk dashurohet sipas dashurisë ku qepen bukuritë e jetës. Ndaj, lirshëm mund të them se brenda shumë tregimeve, shkrimtari Erol Velija mëton të tërheq një paralele mes dashurisë së sotme që ka konflikt mes e përmes njohjes për dashuri të vërtet dhe, dashurisë, që, sipas kohës së sotme shikohet si sundim mbi dashurinë ku fjalën duhet ta ketë vetëm sundimtari mbi dashurinë, që aludon në faktorin e së keqes, si rojtar i dashurisë e, faktori i së mirës, si zbatuese e dashurisë.
Ky mendim, vjen si rrjedhojë i shumë dëshmive brenda tregimeve, që autori na i sjellë si shkak, për arsyen se pse edhe vetë titulli i librit qëndron Të dua e panjohur.
Dhe, e vërteta e një dashuria, siç e do autori, brenda të panjohurës, qëndron nën boshtin e fushës së dashurisë, ku jeta kërkon më shumë se ajo që shihet, më shumë se ajo që preket, qoftë në kuptimin fizik, qoftë në atë imagjinar.
Do të doja të thosha edhe shumë detaje të tjera mbi dhjetëra tregime, ku kryqëzohen e sotmja dhe e kaluara e ardhmja dhe e sotmja, por, duke mos dashur më shumë që të zhvesh gjeografinë e librit dhe, duke dashur që secili lexues ta shijoj sipas ndjenjës së tij, do të mundohem që ketë libër me tregime të shkrimtarit Eroll Velija ta rrumbullakoj mbi tri parime, të dashurisë, të cilat parime autori i shënjon, por, me ose pa dashje i tejkalon, ngase sipas vetë tregimeve, dëshmohet se autori do te mbetet dashnor i dashurisë së panjohur. Kështu që, tri parimet, që vërehen brenda tregimeve si:
• koha nëpër kohë,
• dashuria për dashurinë dhe,
• jeta për jetën.
Mbeten si tri shtigje kah të ecet drejtë dashurisë, që për dashurinë janë të panjohura, përderisa nuk shtrohen mbi shtratin e lumturisë së jetës.
Ndaj, për të mos e prekur të panjohurën për dashuri, uroj që secili lexues të njihet me të, kuptohet, duke e kërkuar brenda librit Të dua e panjohur, libër të cilin autori Eroll Velija na e shfaq si një pikëpamje, për t’u dashuruar në të panjohurën e dashurisë, që secilit njeri i takon që ta ketë si të dashur.
Të nderuar miq nga cikli i ri për botim veçoj poezinë
Shqipëtarët e Shqipërisë, ankthet e dhimbjes në pesë dekadat e fundit të shekullit të kaluar
ODISEA ËNDËRR
Nga odisea e trishtimit
Në qiell lartë flamur i rrënkimit!
Shtegëtar shpirt
Dallëndyshe me koc në fyt!
Nga jeta e shterun
Në neveri këndimi!
Bijë bastardhe bojëgjak epope
Plandosur tregimi!
Në heshtje varri rrëfimi! Epope dëfrimi
Odise rrënkimi!
Sovran famëmadh! Një emër stërmadh!
Çelës i artë, jehonë mrekullueshëm
Drejtimi i shtetit, kjo mënyrë
Adhurueshëm!
Në katarzën totalitare
,,Hyjnesha e virgjër” thumbon!
Vrap drejtë, groteskut dhe tmerrit
Bajraktarizmi përfundon
Në gjëra llahtarie aludon!
O gurrë dheu! Nuk është koha
Yte!
O burrë dheu! Nuk është kënga
Yte!
Se këtu engjujt nuk lotojnë më!
Eh odise vragë! Një epigraf ëndërr!
Koha yte bekuar, një e hidhurr zhgjëndërr!
Të lutem më fal…
Më fal atë që dua
Lumturinë dhe ëndërrimin
Nga kulluaret e mesoreve
Të gjejë shpëtimin!
Nga stigmatizimi njollë të gjejë
Çlirimin!
Në odise ëndërr pasqyrë dëfrimin!
Ky obskurantizëm, në të shkëlqyer
Diell
Ehulli e ngrirë në tokë edhe në qiell
Nga hovi harruar
Në hovin e rinisë
Për zogzën e lirisë!
Një dritë, një diell në qiell
Nga madhështia në tmerr!
Nga pasuria në varfëri
Sovran madhëruar! Malesh egërrsuar!
Nga zëri i dhimbjes
Sirena në vaj
Dëgjohet!
Në ankthet e trurit të mpirë
Çdo urdhër zbatohet
Nga pesha e ngulfatur
Fati i ri ëndërrohet!
O gurrë dheu nuk është koha
Yte!
O burrë dheu nuk është kënga
Yte!
Në qiell…
Ta shikoja syrin tënd gëzuar
në mesin e odisesë bizare
Kamufluar!
Çorodi në dhimbje
Rrikthim
Në shkëlqim dielli me bindje!
Të nderuar miq, nga cikli i ri për botim, veçoj poezinë
BUZËQESH…
Buzëqesh edhe kur zemra është
Dëshpëruar!
Kuti e vogël zjarri këndellur nga ajri!
Shkëputur në copë
Nga i pashuar malli!
Djeg në sirtar
Nga oxhaku i votrës në zjarre..!
Në zjarre…!
E mbytur në lot, e zjarrta shkëndi
Që dënesë! Në qiellin e hirtë!
Si nyje qorre në dashuri!
Fëmi pa përkëdheli
Nyje qorre në dashuri!
Nën këtë ombrellë nga kjo shtrëngatë
Nga kjo ofshamë thellë hidhurr
Si një shkëndi, rebel arratisur
Ma pushto shpirtin!
Në errësirën e natës! Grabit vendin
Hanës!
Grabit vendin hanës
Në këtë buzëmbrëmje
Si rebel arratisur! Zë vendin
Hovit të zanës!
Arbitër paparë! Avitet ngadalë!
Hijen e sajë ëndërroje! Larg je
Ti!
Hijen e saj kërkoje! Larg je
Ti!
Ëndërroje lumturinë, vragë je
Ti!
Në horizont, nga larg, shumë larg
Të puthësh agimin
Ndër krahët e gëzimit
Të shpërthejë me vrull!
Një dallgë fati!Mynxyrë në zemër!
Këngë që pëlcet
Të zjarrtën shkëndi!
Hijen e sajë ëndërroje, larg je
Ti!
Hijen e saj kërkoje, vragë je
Ti!
Një gozhdë…
Në syrin e zymtë, plagë je ti!
Nga kjo natë.. !
Si shtatore kornizë në gjum
Fotografitë!
Vulosin me ngjyrë ylberin në qiell
Me hove të nalta në qiell të larta
Një ndjesi e madhe sa një
Tradhëti!
Vulos me ngjyrë ylberin në qiell
Me hove të nalta në qiell të larta
Në zemër, plagë je ti!
Në zemër, vragë je ti!
Miliona sy na panë
Edhe pse nuk u trembëm kurrë
Kur mbi ne, gjethet ranë
E puthjet tona visheshin me nurë
Nga inati, filloi të bjerë shi
Kur puthja jonë, vazhdoi përsëri
Të shtrirë në barë mbetem, unë dhe ti
Dhe ata, që donin të kishin dashuri
KUR DASHURIA FLET
Mbrëmë, me një puthje i shtera burimet
Etjes i thashë ik, do të rrugëtoj
Me dashuri të lulëzoj tokën, ku banojnë gëzimet
Në pëllëmbë ma dha botën, dashuria për liri
Me një përqafim linda një jetë, e pagëzova trim
Që nesër të mbetet, më i miri ushtar i vendit tim
PËR TY ALEPPO
Me dashurinë e fisnikërisë, i lutem vetëm Zotit
Për ty Aleppo
Që mbi lëkurë të shtatit të ranë ligësitë e motit
Dalë nga urit e syve që nuk ngopen dot me dhe
As me gjak lehonash
Që pikturojnë jetët kohën ta pagëzojnë ishim ne
Aleppo që u bëre hi mes syve që lirinë e kanë gurrë
Deri tek fillimi i përjetësisë
Ku shtatët na ringjallen të qëndisura përplot nurë
Të rreshtuar para Perëndisë
Me ngjyrat e këtij moti që djallet duan t’i sosin sot
Për inatet e lumturisë
Që mbeten nishane syve të nënave më shumë se lot
PRANË MË KE
Kot mundohesh, rrugëve të më kërkosh
Symbyllas i frikësuar se nuk më ke
Shiko, shiko se atje përsëri do të më takosh
Mu aty tek lumi, të dua ku më the
“Sociologjia publike” nga Ali Pajaziti, shpallet si botimi më i mirë nga Asociacioni Shqiptar i Sociologjisë dhe Instituti Shqiptar i Sociologjisë. Profesori universitar Pajaziti tha që ndjehet shumë i nderuar për këtë vlerësim që i është bërë. Ndërkaq diskursi i këtij botimi është vendosur në atë që të jetë shumë më i kapshëm për lexuesit, një libër që mund të kuptohet edhe nga një lexues i thjeshtë.
Profesori Pajazit tregoi që ky libër në vete ngërthen një sociologji që është shumë më e afërt me qytetarin, pra nuk ka të bëjë me terme, apo sociologji, por ka të bëjë me një sociologji që prek përditshmërinë e popullit tonë.
“Jam i nderuar me çmimin ‘Botimi Akademik i vitit 2016’, shpërblim ky të cilin e jep ASLPSA dhe AIS, pra jepet në bazë të përmbajtjes së një teksti të impaktit që ai ka në shoqëri. Pra në bazë të vlerësimit ose evaluimit që ka bërë komisioni që bënë zgjedhjen për këtë çështje. Libri ‘Sociologji Publike’, përpjekje për një sociologji të zbatuar, është parë si një publikim ose si një botim cilësor nga ky komision”, tha profesori universitar, Ali Pajaziti.
Profesori Pajaziti tregon që ky libër trajton tema, që kanë të bëjnë më një sociologji që fillojn nga problematika relevante e shoqërisë deri tek temat globale.
“Në këtë libër trajtohen tema të cilat kanë të bëjnë me një sociologji tjetër fare, bëhet fjalë për një sociologji që është më e afërt me qytetarin, pra nuk merret me tema teorike, nuk është libër kryekëput që e ka të bëjë me teoritë universitare por tenton që sociologjinë ta zbresë nga shkallat e akademisë tek një nivel më i ulët, të merret me çështjet që kanë të bëjnë me përditshmërinë tonë”, theksoi Pajaziti.
Disa nga temat e shumta që preken në librin “Sociologjia Publike” janë: “Parapolitika”, “Shkupi 2014”, “Islamofobia shqiptare”, “Politikat iliberale të Gruevizmit” e shumë tema të tjera. Ndërsa interesimi për leximin e këtij libri tha Pajaziti, është shumë i madh, ka vetëm një muaj që ka dalë në qarkullim dhe kërkohet jashtëzakonisht shumë jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosove dhe më gjerë.
Emine Ismaili
/SHENJA/
Konica shprehej: “Erdhi më në fund edhe për gjuhën shqipe koha e lulëzimit, kohë shpresë! Në të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes”. Gjuha e një Kombi është themelore në jetën dhe zhvillimin e tij, aq më tepër që ajo është pjesë e pandarë dhe e gjithanshme e hapave përparimtarë që një Komb bën përpara. Kjo, sepse gjuha është një organizëm i gjallë, që evoluon nëpër kohë dhe, si e tillë, i përgjigjet emancipimit të shoqërisë, kulturës, arteve, letërsisë, publicistikës si dhe tërësisë së problematikës bashkëshoqëruese të tyre.
Ndër gjuhët e vjetra të Ballkanit, gjuha shqipe i ka mbijetuar kohëve dhe i ka shërbyer popullit, etapave të zhvillimit të tij dhe veçanërisht secilit brez, duke u bërë pjesë e pandarë e trupëzimit shpirtëror dhe tradicional, që trashëgohet brez pas brezi. Janë të shumtë ata autorë, të cilët kanë dhënë ndihmesa të vyera në këtë proces të zhvillimit të gjuhës shqipetë pasurimit dhe evoluimit të saj. Lidhur me procesin e gjatë dhe objektiv të rritjes së kulturës gjuhësore të një kombi, A. Xhuvani, që në vitet 50-të të shekullit të kaluar, shkruante: “Solocizmat janë gabime të pafalshme, të cilave duhet t’u rreshtemi aq sa edhe gabimeve të tjera. Për këtë duhet një studim i thellë dhe i plotë i gramatikës së përdorimeve …, duhet të ndiqet edhe përdorimi i gjallë i popullit, edhe autoriteti i shkrimtarëve klasikë. Ta kufizosh gjuhën në një cak të ngushtë shkrimi, kjo veç që e bënë gjuhën të lidhshme dhe pedentare, po është edhe një punë kundër natyrës së saj, pasi gjuha hyn në ligjet e evulucionit e nuk mund të shkarkohet pas dëshirës së një pale”. Europa e ka ndërruar me kohë formulën e didaktikës së gjuhës, duke përcaktuar drejtime të reja në fushen e emancipimit gjuhësor.
Kanë kaluar më shumë se një shekull dhe sot, në punët e gjuhës, problemet më delikate dhe më të mprehta zënë fill që te interesimi i fëmijëve e të rinjëve në shkolla e fakultete. Duhet të tregohemi vërtet të kujdesshëm për të njohur mirë pasurinë gjuhësore në të cilën ata nisin shkollën. Vetëm kështu, mësues e nxënës, mund të përshkojnë së bashku udhën drejt gjuhës amtare dhe drejt gjuhëve të mëdha të kulturës europiane. Libri i sapodalë nga botimi i Prof. Dr. Gj. Shkurtaj “Si shkruajmë shqip”, është një pasuri tjetër në fondin e veprimtarisë së tij dhe një apel për mësuesinë shqiptare në përgjithësi e administratën publike dhe jo publike në veçanti. Pra, ka ardhur koha për ndjenjë epasion, dashuri të lartë e mbi të gjitha, respekt dhe vlera të mëdha për këtë thesar, ndër të parët dëshmues të dallimit kombëtar. E parë nga këta faktorë, të cilët duhet të njihen mirë, ngaqë kjo fushë e dijes është shenjë e parë dalluese e veçantisë kombëtare, brezat e sotëm dhe ato që do të vijnë, të dinë se kemi kapërcyer shumë shekuj përpjekje të këtij kombi, për t’i vënë këto në themelet e duhura e të shëndosha, të cilat qëndrojne në ditët e sotme.
Këtu dhe njëqind vjet më parë, Xhuvani, hapur thoshte për daljen në dritë të një gjuhe letrare të njësuar pra, të krijuara mbi baza të shëndosha letrare. Ai mbetet burrë i madh me zë e me namë në fushën e dijes gjuhësore. Por puna e këtij dhe shumë xhuvanëve të tjerë të gjuhësisë të sotme shqiptare, që i kanë dhënë dhe i japin kombit në fushën e dijes dhe të urtësisë për çdo lëmi dhe këshillat e tyre nuk janë të kapshme e të rrokshme tek disa intelektualë, mësues dhe punjonjës të mediave të shkruara, të cilët po i fusin “brirët” gjuhës së sotme të njësuar. Prof. Xhuvanit nuk i vinte fare rëndë që t’i shtrijë dorën për punën e madhe që kishin bërë në gjuhë dhe për gjuhën dy vëllezërit, Naimi dhe Samiu. Edhe Noli, me urtësinë që e karakterizonte, për vlerat njohëse të gjuhës e të kombit, pati thënë: “Lëvizja për të ngritur gjuhën shqipe në shkallë kombëtare nisi në toskëri. (shih F. Agalliun, në “Gjuhën e Nolit”, Tiranë 1999). Këta dy dijetarë të mëdhenj, Xhuvani, që i takonte të folurës veriore, ndërsa Noli i përkiste të folurës jugore, nuk vuanin nga bajraktarizmi, as nga fise e klane shqiptare, të cilët i kapërcyen për t’u mbajtur kombi i patundur vetëm në sajë të gjuhës së njësuar, për të cilën ballafaqohemi sot, aty këtu, edhe me telashe dhe shpeshherë edhe me synime ndarëse. Duke lexuar mediat e sotme, njeriut të ndershëm i bëhet sikur gjuha e sotme letrare standarte, e përcaktuar 40-vjet më parë, ka mbetur vetëm në letër, nuk ka arritur përgjegjshmëri ligjore dhe penalizuse, siç duhej të ishte. Ky shqetësim duhet të shoqërohet gjithnjë me një propagandë dinamike, ku vetë gjuha amtare të vlerësohet me maksimumin e kërkuar e studimet mbi shqipen letrare të zënë vendin e merituar.
Si ja bëri Naimi i madh që si gjen dot asnjë barbarizëm në veprën e vet? Po Noli, që mori guximin dhe solli në shqip Servantesin, Shekspirin dhe Khajamin? Po Konica, Kuteli, Poradeci, Xoxe, Agolli, Kadareja e të tjerë? Këta mjeshtër të fjalës e gjetën të pathurur arën e fjalës, por fjala u ndrit në fjali, prozë e poezi. Shëndoshja e mbrojtja e gjuhës standarte mund të bëhet me masa të prekshme energjike prej mendjesh që mendojnë shqip e prej zemrave që rrahin shqip. Gjuhën shqipe e kemi ndër më të vjetrat e më të mëdhatë e kontinentit, për të mos e rendit ndër dhjetë gjuhët më të rëndësishme të rruzullit. Gjuha shqipe është sot e mot, pasuri kombëtare bazë. Vetë proceset e hapjes, bashkëpunimit dhe të integrimeve rajonale e ndërkombëtare, detyrimisht i japin mundësi edhe shqipes së folur dhe të shkruar të ecë natyrshëm në zhvillimin e pasurimin e saj me simotrat e shumë vendeve të BE. Është fatalitet për ato vende me popullsi të vogël si Shqipëria, të shoqëruarit me rrezikun e depërtimit dhe përdorimit vend e pa vend të huazimeve në dëm të fondit autokton, duke kaluar shpesh në varfërimin e gjuhës letrare kombëtare. Këto marrëzi, që më mirë i njeh publiku, na shiten si gjetje gjuhësore moderne (!). Ky është një agresivitet i hapur gjuhësor. Është koha të pranojmë dhe të përpiqemi për të vënë nën kontroll, duke ngritur barriera, miratuar ligje dhe ngritur struktura të posaçme, për ta mbajtur të pastër shqipen, që është pasuria më e madhe dhe e patjetërsueshme, me të cilën krenohemi. Vërtetë jetojmë në një shoqëri të lirë e të hapur, vërtetë jemi përkrahës të globalizmit, por nuk do të dëshironim kurrë që gjuha jonë të mos shkruhej e të përdorej nga shqiptarët e të gjithë brezave.
Mundësitë për ta mbajtur të gjallë gjuhën e bukur shqipe tek fëmijët tanë, pavarësisht kur lindin dhe ekzistojnë, i mundëson shkolla, që është institucioni bazë i mësimdhënies së gjuhës letrare dhe detyrë parësore ka të mësuarit e saj e që sjell si rezultat aftësimin e fëmijëve dhe të rinjve për ta komunikuar e shkruar me frytshmëri atë. Për shqiptarët emigrues, megjithë përpjekjet e ruajtjes së saj, shqipja po bëhet sa e largët dhe e huaj për fëmijët mërgimtar. Është normale që, duke jetuar në një shoqëri ku flitet e shkruhet një gjuhë tjetër, kuptohet dhe tendenca e kufizimit dhe e shqiptimit të shqipes. Fëmijët po projektojnë të ardhmen e tyre aty ku rriten. Pra, emigrimi në përgjithësi dhe ai i fëmijëve në veçanti, krahas të mirave, mbart me vete edhe rrezikun e një asimilimi gradual të gjuhës, sidomos tek fëmijët shqiptar që jetojnë e mësojnë aktualisht në emigrim. Faktet ekzistuese të një kombi përcaktohen, në fund të fundit, nga gjuha. Popullsia e një vendi, që për arësye të ndryshme nuk e shkruan dhe rrallë herë nuk e flet gjuhën e vet amtare, është e prirur të rrezikohet, pasi gjuha ka qenë e mbetet një ndër komponentët kryesorë të kulturës së një kombi. Kur njeriu nuk e ka nën këmbë tokën e vet, humbet diçka nga qëndrimi vertikal, humbet sigurinë e bëhet më skeptik ndaj vetvetes. Gjuha shqipe ka një zhdërvjelltësi në të folur, është shumë burrërore dhe mjaft e bukur, ka tingull të veçantë dhe mjaft impulsive. Shqipja është vazhdim i gjuhës ilire dhe i përket grupit të gjuhëve indo-europiane pra, veçohet si një ndër më të vjetrat në Europë dhe Ballkan. Këtu më vjen ndërmend një thënie e një mërgimtari: “Gjuha është e vetmja armë që vërteton që jemi shqiptar!”
Në Shqipëri,Kosovë, Maqedoni dhe diasporë gjuhësia krahasimtare ka patur arritje me vlera të mirëfillta shkencore dhe gjithnjë gjuhtarët tanë të nderuar hedhin dritë në raportet e shqipes me gjuhët e tjera. Studimi i shqipes, përveç interesit shkencor, është i lidhur ngushtë me interesat tona kombëtare. Qëndrojmë para një fakti shumë të bukur, shumë interesant, që jo vetëm gegërishtja, por edhe gjuha e diasporës, sidomos e arbëreshëve të Italisë, tek e cila, në mes shumë barbarizmave, gjenden thesare të vërtetë, janë format më të vjetra të shqipes. Këtu kujtojmë përpjekjet pesëdhjetëvjeçare të Prof. Shkurtajt, si njeri i nderuar, pasionant, intelektual me interes të paparë shkencor, studjues dhe hulumtues i gjuhësisë shqiptare në tërësi dhe arbëreshëve të Italisë veçanti. Domosdoshmëria e ndryshimeve sa vjen e rritet. Kërkohet të kemi impenjim historik për këtë çeshtje, duke u bazuar edhe në përvojën e vendeve euroatllantike, pasi dhe lëvizja e lirë e këtyre njëzetvjetëve i ka zgjeruar kontaktet e shqiptarëve me gjuhët e kulturat e popujve të tjerë.Në këto 100 vjet të Pavarësisë Kombëtare, realiteti i shoqërisë shqiptare ka fituar qytetarinë në fushën e gjuhësisë. Ajo ka gurgulluar dhe sjell ujra nga lashtësia e shekujve, ku shqipja ka plazmuar mendimin, ka marrë forma të personaliteteve, që nga mendimi i Naimit, Çajupit, Fishtës, Mjedës, Konicës, Nolit, Migjenit, Poradecit e deri tek ai i Qoses e Kadaresë.
Indiferentët dhe dembelët dhe ata që s’respektojnë parimet e gjuhës standarte shqipe, që nuk vazhdojnë rrugën e Rilindasve tanë, historia do t’i dënojë. Nga Bostoni i Amerikës, Konica shprehej: “Erdhi më në fund edhe për gjuhën shqipe koha e lulëzimit, kohë shpresë! Në të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes”. I vlerësojmë, i pranojmë dhe i respektojmë vlerat gjuhësore të popujve të tjerë. Dhe respekti për të tjerët ka vlerë e besueshmëri kur, në radhë të parë, respekton vlerat e kombit tënd! Në këtë shkrim, kuptohet që nuk përfshihet gjithçka për shqipen e folur e të shkruar, ndaj le të shërbejë për të ndriçuar sadopak një udhëz shekullore të shqipes, duke ngulmuar më shumë për të ardhmen e brezave të rinj përmes fjalës së bukur shqipe. Vetëm kështu rritet krenaria e kombit tënd brenda Shqipërisë,Kosovës, Maqedonisë dhe jashtë saj.
