Gjatë 2014-2015 në Shqipëri janë asgjësuar 791.876 bimë narkotike kanabis sativa

11758985_1460396940949559_198948658_n

Policia e Shtetit Shqiptar në dy vitet e fundit ka intensifikuar operacionet në pothuajse gjitha qytete e endnit kundër kultivimit të lëndëve narkotike. Nisur nga këto operacione, Policia ka bërë të ditur se nga 1 janari deri në 22 korrik 2015, janë asgjësuar 261.699 bimë narkotike kanabis sativa (cannabis sativa).

Në vitin 2014, janë asgjësuar 530.177 bimë narkotike kanabis sativa, duke e çuar për dy vitet në total këtë numër në 791.876 bimë narkotike kanabis sativa të asgjësuara nga strukturat policore.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Shqiptar, Haki Çako, drejtori i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë, Altin Qato dhe drejtori i Misionit Interforza, Dr. Michele Grillo ndoqën një nga operacionet anti-kanabis në zonën e Tepelenës.

Operacioni u zhvillua në kuadër të zbatimit të protokollit operativ ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Italisë, për monitorimin ajror me avionë të posaçëm të Guardia di Finanza me teknologjinë më të fundit.

Sipas Policisë, bashkëpunimi me Guardia di Finanza dhe Universitetin e Napolit ka filluar në vitin 2012 dhe nga viti në vit ka sjellë një rritje të forcës goditëse të Policisë së Shtetit ndaj fenomenit të kultivimit të kanabisit.

Në operacionin e radhës u angazhuan rreth 50 forca policore dhe u shkatërruan më shumë se 6.100 bimë narkotike në këtë zonë me parcela.

Ndërkohë në Tepelenë më datë 22.07.2015,nga ana e Specialistëve të Seksionit Kundër Narkotikëve, në bashkëpunim me efektivat e Komisariatit të Policisë Tepelenës, gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së shtetasit Daut Caushi, në afërsi të banesës së tij policia ka evidentuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 47.91 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.

Këtë vit fenomeni i kultivimit, për shkak të operacioneve të vitit të kaluar në Lazarat dhe Dukagjin, por edhe në të gjithë territorin e vendit, ka pësuar një ndryshim, është reduktuar sipërfaqja e kultivueshme, por janë rritur parcelat e dimensioneve të vogla.

Shekulli Agency

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.