Koreja e Veriut: Zgjerimi i AUKUS do të kthejë Azi-Paqësorin në fushë të minuar bërthamore

Koreja e Veriut paralajmëroi se zgjerimi me vende të reja i marrëveshjes AUKUS që përfshin SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Australinë dhe e cila parashikon bashkëpunim në fushën e teknologjisë së nëndetëseve bërthamore, do ta kthejë rajonin e Azi-Paqësorit në një fushë të minuar bërthamore, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Koresë së Veriut, KCNA analisti i marrëdhënieve ndërkombëtare të Koresë së Veriut, Kang Jin-song e cilësoi përpjekjen e SHBA-së për ta bërë Japoninë anëtare të AUKUS-it si një “plan tinëzar”.

Kang paralajmëroi se zgjerimi i marrëveshjes AUKUS me vende të reja do ta kthente rajonin e Azi-Paqësorit në një fushë të minuar bërthamore. Ai theksoi se SHBA-ja planifikon të përdorë Japoninë si një postë për ta afruar fushën e minave bërthamore me Kinën.

Duke akuzuar SHBA-në për krijimin e një bashkëpunimi më të fortë të sigurisë me Korenë e Jugut, Australinë, Japoninë dhe Filipinet në bazë të politikës së saj kundër Kinës, Kang tha se vendet e botës duhet të jenë vigjilente ndaj veprimeve të pamatura të Washingtonit për të zgjeruar në mënyrë të çmendur zonën e aleancës që shënjestron një vend të caktuar.

Më 21 prill, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi kritikoi partneritetin trepalësh të mbrojtjes të krijuar nga SHBA-ja me Britaninë dhe Australinë në Paqësor dhe deklaroi se rajoni nuk duhet të jetë shesh lojërash i fuqive të mëdha.

Marrëveshja AUKUS e cila synon të krijojë flotën e nëndetëseve të Australisë me energji bërthamore përmes transferimit të teknologjisë midis SHBA-së dhe Britanisë u nënshkrua në shtator 2021. Marrëveshja e cila bashkon anëtarët e aleancës në këtë fushë kundër “aktiviteteve detare në rritje të Kinës në rajon”, synon bashkëpunimin në fushën e teknologjisë dhe industrisë së avancuar.

Shekulli Agency