Kancelari gjerman përsëri refuzon dërgimin e raketave Taurus në Ukrainë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka përsëritur kundërshtimin e tij për furnizimin e Ukrainës me raketa Taurus me rreze të gjatë veprimi, të cilat dyshohet se janë të afta të godasin qytetet ruse shumë përtej kufirit, transmeton Anadolu.

Duke folur me gazetarët në Berlin, kancelari Scholz tha se ai i qëndron qëndrimit të tij të mëparshëm për të mos dërguar raketa Taurus të prodhimit gjerman, pavarësisht një vendimi të fundit nga SHBA-ja për të dorëzuar raketa me rreze të gjatë ATACMS në Ukrainë.

Ai theksoi se mbështetja ushtarake e Gjermanisë për Ukrainën do të vazhdojë të fokusohet në nevojat urgjente të vendit, si sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore, për të mbrojtur qytetet dhe infrastrukturën kritike të Ukrainës.

“Ne jemi përkrahësi më i madh i Ukrainës në Evropë, duke përfshirë mbështetjen ushtarake dhe dërgimin e armëve. Sapo kemi vendosur të dërgojmë një bateri tjetër Patriot, pasi kemi dorëzuar dy bateri më herët dhe shpresojmë shumë që partnerët e tjerë evropianë të marrin një vendim përkatës”, tha Scholz.

I pyetur për komentet e fundit të ministrit polak të Punëve të Jashtme, Radoslaw Sikorski, i cili tha se vendimi i fundit i SHBA-së për t’i dhënë Ukrainës raketa me rreze të gjatë do të çonte në një ndryshim në pozicionin e Gjermanisë për dërgesat e raketave Taurus, kancelari gjerman përsëriti kundërshtimin e tij.

“Ne mbetemi gjithmonë të matur në konsideratat tona dhe prandaj vendimi im për pyetjen specifike që ju bëtë mbetet i pandryshuar”, theksoi ai.

Politikani socialdemokrat ka kundërshtuar prej kohësh furnizimin e Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi Taurus dhe vazhdimisht ka deklaruar se Gjermania duhet të veprojë në një mënyrë të përgjegjshme për të parandaluar një konfrontim midis NATO-s dhe Rusisë.

Muajin e kaluar, ai u tha ligjvënësve gjermanë se përdorimi i sistemeve të fuqishme dhe të sofistikuara të raketave pa mbikëqyrjen ushtarake gjermane mund të ketë pasoja të padëshiruara.

Raketat e fuqishme Taurus janë të njohura për suksesin në shënjestrimin e duhur të objekteve, duke përfshirë urat ose objektivat e forta dhe të groposura thellë, siç janë bunkerët e komandës.

Shekulli Agency