Vazhdon në Ukrainë stërvitja e madhe ushtarake, Poroshenko kërkon ndihmë nga NATO

petro-poroshenko

KIEV (AA) – Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko i ka porositur Komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, Philip Breedlove, se Kievi zyrtar dëshiron më shumë bashkëpunim në fushën e mbrojtjes pasi që pjesa lindore e vendit mbetet e ndarë në mes të forcave të qeverisë dhe rebelëve pro-rusë.

Poroshenko u takua me Komandantin suprem Breedlove të enjten në Kiev, i cili po qëndron në Ukrainë ku po mbahet stërvitja e madhe ushtarake ndërkombëtare në qendrën e trajnimit Javrov, pranë qytetit Lviv në perëndim të vendit.

Ushtarët ukrainas, tre ditë më parë kanë filluar stërvitjet e reja ushtarake “Rapid Trident 2015”, në afërsi të kufirit me Poloninë, ku marrin pjesë gati 2.000 ushtarë nga 18 vende përfshirë edhe SHBA-të, dhe do të zgjasë dy javë.

Gjatë takimit, Poroshenko tha se Ukraina po i përmbahet marrëveshjes së Minskut për armëpushim, por se edhe rebelët pro-rusë duhet t’i përmbahen të njëjtës.

Poroshenko me këtë rast tha se Ukraina kërkon zgjerimin e ushtrimeve të tilla ushtarake, ndërsa Breedlove theksoi se stërvitja është e rëndësishme, por Ministria ukrainase e Mbrojtjes duhet të vazhdojë me zbatimin e reformave në drejtim të modernizimit të forcave ushtarake.

“Është vështirë të zbatohen reformat në luftë, por ne ju mbështesim dhe kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha ai.

Separatistët pro-rusë dhe ushtria ukrainase kanë vazhduar me përplasjet në rajonin lindor Donbas, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të nënshkruar në kryeqytetin bjellorus Minsk, në shkurt të këtij viti.

Sipas të dhënave të OKB-së mbi 6.000 persona kanë humbur jetën në rajonin lindor të Ukrainës që nga prilli i vitit 2014.

Shekulli Agency

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.