Tifozët shqiptarë kanë përsëri mundësi të sigurojnë bileta për fazën finale të Euro 2016, ku Shqipëria do të luajë në Grupin A, ndaj Francës, Zvicrës dhe Rumanisë.
Pas përfundimit të afatit të aplikimeve rreth biletave për tifozët e përfaqësueses kuqezi dhe mbylljes së rezervimeve për 800 mijë vendet e vëna në dispozicion në faqen për ekipet pjesëmarrëse, UEFA njoftoi se aplikimet do të vazhdojnë deri më 1 Shkurt.
Këtë herë me një formulë të ndryshme. Çdokush mund të aplikojë për bileta, në faqen e UEFA-s të rezervuar për ndeshjet e veçanta. Në dispozicion për publikun e përgjithshëm janë 1 milion bileta që përbëjnë 42% të totalit të përgjithshëm të biletave në Francë 2016. Në këtë mënyrë, rriten shanset për tifozët e Kombëtares, që mund të zgjedhin pikërisht përballjet e Shqipërisë dhe të shpresojnë se do të sigurojnë vende në stadium.