Sipas mediave italiane Interi nga Milano është i gatshëm që t’i paguajë 50 milionë euro Atletico Madrid, me qëllim që ky klub spanjoll të lëshojë trajnerin Diego Simeone para skadimit të kontratës së tij.
Nuk është kurrfarë sekreti se Simeone me kënaqësi do të pranonte ftesën nga Interi, ku në të kaluarën kaloi një pjesë të karrierës së tij si lojtarë, ndërsa vizita e fundit në Milan flet se spekulimet nuk të janë pabazuara.
Kur e pyetën gazetarët italianë nëse ka ardhur për negociata me Interin, shkurt u përgjigj “Asnjëherë nuk i dihet”. Mediat lokale theksojnë se pronarët kinezë të Interit, grupimit Suning, janë të gatshëm që të ndajnë 50 milionë euro që sa më parë të sjellin Simeonen në klub.
Kontrata e tij me Atletico Madrid kohët e fundit me marrëveshje u shkurtua për dy vite dhe tani vlen deri në vitin 2018.
Trajneri i ri i Interit, Stefano Pioli javën e kaluar nënshkroi kontratë deri në qershor të vitit 2018 , që do të thotë se gjithçka është gati për ardhjen e Simeone-s në Giuseppe Meazza. Por, mediat italiane parashikojnë se kjo mund të ndodh një vit para.