
Fotoreporteri Fuad Foço, i cili ishte dëshmitar i sulmit të kryer nga Ushtria e Republikës Srpska në tregun Markale në kryeqytetin Sarajevë gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë, tha se ajo që ndodhi ishte më shumë se një masakër dhe se ai kurrë nuk do të harrojë atë që pa në tregun i cili ishte kthyer në një kasaphanë për gjithë jetën e tij.
Në sulmin me mortaja të kryer nga ushtarët serbë më 5 shkurt 1994 humbën jetën 68 civilë dhe 144 tjerë u plagosën.
Foço, i cili ishte rreth 100 metra larg tregut në kohën e sulmit dhe ishte ndër të parët që arriti në vendin e ngjarjes, për Anadolu Agency (AA) tha se dita kur ndodhi masakra kishte filluar e qetë.
Duke deklaruar se ai shkoi në vendin e afërt të tregut me kamerën e tij kur dëgjoi shpërthimin, Foço tha se “skena që pashë ishte e tmerrshme, nuk e prisja një gjë të tillë. Nëse do të kisha parashikuar se me çfarë do të ballafaqohesha, ndoshta nuk do të shkoja atje”.
Duke deklaruar se zona ishte e mbuluar me një re pluhuri kur ai arriti në vendin e tregut, Foço shprehet:
“Unë i mbulova sytë me një aparat fotografik midis britmave, gjakut dhe gjymtyrëve të prera. Mendova se mund ta tretja më lehtë ashtu atë që pashë. Ajo që ndodhi ishte më shumë se një masakër, vendi i tregut ishte kthyer në një kasaphanë”.
Duke deklaruar se nuk mund të gjente mundësinë për të ndihmuar të plagosurit në atë moment, Foço tha: “Përfaqësuesit e mediave të huaja filluan të vijnë në skenë. Një djalë i ri që kuptoi se unë kam qenë aty për një kohë të gjatë erdhi dhe më pyeti nëse kisha filmuar aty apo jo. Nuk e di pse, por unë nxora filmat që xhirova dhe ia dhashë atij i cili ishte së bashku me vajzën e tij, ai më dha ca para në dorë dhe u larguan nga tregu. Shoku im, i cili ishte dëshmitar i kësaj ngjarje, e kuptoi se isha në shok dhe vrapoi pas tyre por nuk mundi t’i merrte përsëri ato që kisha filmuar”.
Duke treguar se kur pa gjakun që rridhte përgjatë shinave të tramvajit që kalonin përpara tregut, Foço bëri fotografinë e fundit të masakrës duke përdorur filmin e fundit që kishte në dorë.
“Kishte shumë gjak përreth. Ju mundeshit ta ndjenit gjakun që ngjitet në fund të këmbëve tuaja teksa ecni. Është e vështirë të përshkruhet”, tha ai.
– “Kur e kujtoj atë moment, nuhas mish dhe flokë të djegur”
Duke theksuar se ai nuk mund të flinte, të hante ose të fliste për ditë me radhë pas masakrës që pa, Foço thotë se kur e kujton atë moment, ende nuhatë mishin dhe flokët e djegur.
“Mundohem të mos kaloj pranë tregut kur kam ndonjë punë. Këto nuk janë gjëra që fshihen lehtësisht nga mendja. Nëse keni pak njerëzi në vete, nuk mund të qëndroni indiferentë kur një ngjarje e tillë ndodh në Kenia, Ruandë, Sarajevë e kudo tjetër”, shprehet ai.
Duke treguar se ai ishte dëshmitar i sulmeve të tjera përveç masakrës në pazar, Foço tha: “Unë isha dëshmitar i vrasjes së 7 fëmijëve që luanin me kitarë para shtëpisë së tyre në qarkun Bistrik të Sarajevës. Unë pashë kufomat e gjymtuara të fëmijëve”.
Foço theksoi se është kureshtarë nëse mund të flenë rehat snajperët të cilët vranë mijëra njerëz gjatë gjithë luftës dhe ata që organizuan sulmet.
– Vendimi përfundimtar për “Kasapin i Bosnjës” do të merret nesër
Vendimi përfundimtar mbi Ratko Mlladiçin, me nofkën “Kasapi i Bosnjës”, i cili udhëhoqi serbët në luftën e viteve 1992-1995 në Bosnjë dhe mbahet përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës, rrethimin e Sarajevës dhe krime të ndryshme të luftës, do të merret të martën më 8 qershor.
Çështja e Mlladiçit filloi në maj të vitit 2012, ndërsa ai ishte fshehur për 16 vjet pas akuzës së përgatitur më 1995, kur u kap në Serbi më 26 maj 2011.
Në korrik të vitit 2017 Mlladiç apeloi kundër dënimit të përjetshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për Ish Jugosllavinë në Hagë të Hollandës, duke pretenduar se ata nuk kishin marrë “gjykim të drejtë” dhe se “gjykatësit bënë gabim material dhe ligjor gjatë dhënies së vendimit të tyre”. Mladiç kërkoi lirimin e tij ose rigjykim.
Ndërkaq teksa seancat e apelit në lidhje me kundërshtimin e Mlladiçit 78 vjeçar u mbajtën më 25 dhe 26 gusht 2020, kërkesa e tij për shtyrje të seancës për shkak të problemeve shëndetësore u refuzua dhe ai mori pjesë personalisht në seancë ku edhe bëri mbrojtjen e tij. Anadolu Agency