Një mik i mirë dikur më thosh, sa më i gjatë trupi, aq më arrogante mendja. Ky është sigurisht një përgjithësim, një stereotip, dhe si cdo përgjithësim që ka lidhje me socialen është pashmangshmërisht gabim. Që turku është objekt i sharjeve dhe ofendimeve të shpeshta nga “intelektualë” apo media raciste dhe islamofobe kjo është dicka që dihet dhe kryhet ditën për diell në Shqipërinë “europiane”. Nga një racizëm i tillë vuan jo vetëm “turku” por edhe “kinezi”, “jevgu” apo “afrikani”. Që një racizëm i tillë të shprehet nga kryeministri i vendit i cili për më tepër deklaron shpesh se Turqia dhe kryeministri i saj janë miq dhe aleatë strategjikë, është vërtet e habitshme. Aq më tepër kur ky kryeministër mundohet me ngulm që të ndërtojë një imazh si një politikan që shikon përtej nacionalizmave arkaike apo islamofobive mesjetare dhe katoliko-centrike duke u shfaqur si një personazh humanitar europian.
Por kjo është pikërisht ajo që kryeministri Rama ka bërë në një letër dërguar ministrave të tij. Duke kërkuar që ministrat ti largohen arrogancës me Tjetrin, ku tjetri duket se janë deputetët, kolegët, vartësit dhe më gjerë populli shqiptar, Rama shprehet: “Ndjehet reflektimi i kësaj arrogance në raportin gjithnjë e më turkoshak me kohën, ky stresi i pagjumësisë së fillimit i’a ka lënë vendin limontia raskapitëse e lodhjes prej kotësive, drekave, darkave, muhabeteve, dhe ruajna zot, vëmendjes së shtuar për interesat e vogla.”
Rama e mbyll letren me këtë pasazh: “Kjo qeveri ka vetëm një armik dhe ky armik është turku që jeton brenda secilit prej jush, o mbyteni o përgatituni për të lënë anijen!!!”
Përdorimi i këtij fjalori nga Rama vë në dyshim sinqeritetin e tij për popullin turk, një popull punëtor i cili, ndryshe nga baballarët totalitarë të Ramës apo nga korrupto-demokracia në ndërtimin e së cilës Rama është bashkëpunëtor, ndërtoi një nga perandoritë më jetëgjata në historinë e njerëzimit e cila shtrihej nga Afrika përmes Europës deri në Azi, por që edhe sot, në kohët tona, ka ndërtuar një shtet modern dhe të fuqishëm. Ndoshta këshillën që u jep vartësve të tij për tu larguar nga arroganca, Rama, i cili është konvertuar në katolicizëm në një kohë që vetë Europa humanitare po i largohet masivisht asaj, duhet t’ja japë vetes. Ndoshta konvertimi i tij në katolik e ka bërë Edi Ramën që të mbartet edhe me një mendësi feudale mesjetare ndaj Tjetrit.
Fjalori i Ramës është i pajustifikueshëm. Atij nuk do ti shkonte kurrë në mendje të shprehej me stereotipe të tilla për popuj të tjerë perëndimorë. A do të vriste Rama gjermanin, italianin, apo amerikanin brenda tij? A do të vriste Rama karakterin e tij totalitarist, megallomanin fjalëshumë që kujdeset për pamjen e jashtme më shumë se për përmbajtjen apo arrogantin eksepcionalist të cilit të tjerët i duken kot kur i krahason me veten?
Ajo që Edi Rama duket se nuk ka kuptuar, ndërsa akuzon ministrat e tij për arrogancë, është se këta ministra arrogancën e tyre, sjelljen dhe shprehjet e tyre i kanë përgjithsisht të frymëzuara nga udhëheqësi i tyre dhe vecantisht direkt të huazuara prej tij. Këta ministra sillen si arrogantë sepse lideri i tyre është arrogant.
Rama nuk duhet të vrasë ndonjë turk imagjinar por mendësinë e tij katoliko-centrike që në vend të modernizmit e ka cuar në mesjetë. Kryeministri Rama duhet të vrasë injorantin brenda vetes dhe racistin. Këshillën që u jep ministrave ai ta zbatojë vetë i pari duke ju larguar arrogancës dhe duke respektuar të Tjerët.
