
Një zjarr i madh ka përfshirë një ish-fabrikë në Tetovë të Maqedonisë së Veriut ndërkohë vazhdojnë aktivitetet për shuarjen e zjarrit nga toka dhe ajri, raporton (AA).
Zjarri ka shpërthyer në orët e mëngjesit në ish-fabrikën “Makedonija Tabak” në dalje të qytetit në drejtim të Shkupit.
Deri më tani nuk ka njoftim për viktima ose të plagosur ndërsa drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angelov në një deklaratë për gazetarët bëri të ditur se nga tymi janë hospitalizuar 3 zjarrfikës.
Policia ka kufizuar lëvizjen në qytet për shkak të zjarrit të madh dhe tymit të dendur ndërsa shkollat kanë ndërprerë mësimin.
Në një deklaratë nga Komuna e Tetovës në rrjetet sociale thuhet se në bashkëpunim me Sektorin për Arsim të Komunës është marrë vendim që sot dhe nesër të ndërpritet procesi edukativo-arsimor për shkak të situatës së krijuar pas zjarrit që ka shpërthyer sot në një depo në qytet.
“Për arsye sigurie nga përkeqësimi i cilësisë së ajrit në Tetovë dhe me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve dhe nxënësve, kemi marrë këtë vendim. Po ashtu apelojmë edhe tek qytetarët që pa nevojë të mos dalin nga shtëpitë e tyre deri në përmirësimin e situatës dhe pastrimit të ajrit. Qytetarët dhe nxënësit të cilët lëvizin jashtë për nevojat e tyre personale duhet të mbajnë me vete maska mbrojtëse”, thuhet në deklaratë.