Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vazhdon me publikimin e të dhënave rreth pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, bazuar në raportimet e qendrave të votimit, raporton (AA).
Sipas uebfaqes së këtij institucioni, nga raportimet e 2.348 qendrave nga 5.199 gjithsej, pjesëmarrja deri në orën 15:00 në rang vendi është 38,56 për qind.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat gjatë ditës, tha se nuk ka patur konflikte që mund ta vendosin në rrezik zhvillimin e procesit apo integritetin e procesit zgjedhor.
Procesi i votimit në Shqipëri ka filluar në orën 07:00 dhe ai zyrtarisht pritet të përfundojë në orën 19:00.
Në këto zgjedhje, sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 3.588.869 qytetarë shqiptarë kanë të drejtën të votojnë.
Janë regjistruar dy koalicione zgjedhore, Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim (PD-AN), i cili udhëhiqet nga partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe përbëhet nga 13 parti që garojnë me një listë të vetme si koalicion dhe koalicioni Aleanca Bashkimi Popullor – Emigracioni – Ora e Shpresës dhe Konservatorët (ABEOK), i përbërë nga 4 parti politike.
Gjithashtu 10 parti politike garojnë më vete, përfshirë edhe partinë në pushtet, Partinë Socialiste të Shqipërisë (PS) dhe 5 kandidatë të propozuar nga zgjedhësit në disa qytete.
Në zgjedhje garojnë 1.841 kandidatë për deputetë, në 12 zona zgjedhore që korrespondojnë edhe me qarqet e vendit.
Risia e këtyre zgjedhjeve është procesi i votimit nën kushtet e pandemisë, sistemi i ri zgjedhor, votimi dhe numërimi elektronik që do të aplikohet si projekt pilot në një nga zonat zgjedhore në Tiranë, si dhe konkurrimi i disa partive të reja.
