Fillimi LajmeVështirë se mund të përdoret forca për të shuar protestat në Hong Kong

Vështirë se mund të përdoret forca për të shuar protestat në Hong Kong

nga Shekulli Agency

Dërgimi i trupave kineze në Hong Kong për të frenuar protestat që zgjasin gati tre muaj mund të jetë opsioni i fundit, tha një njohës i çështjeve politike, Chien-Yu Shih, shkruan AA.

“Kjo është arsyeja pse qeveria lokale të martën tha se me siguri që protestat e vazhdueshme do të trajtohen me mjete ligjore”, tha Shih, një studiues tajvanez që ligjëron në Kolegjin Chuhai të Hong Kongut, i cili është gjithashtu sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Studimeve të Azisë Qendrore me seli në Tajvan.

Përdorimi i forcës ushtarake, siç tha ai, në qendrën financiare mund të rezultojë me ndërhyrje ndërkombëtare, veçanërisht nga SHBA-të dhe anëtarët e tjerë të G7.

Hong Kongu, një rajon autonom i Kinës, është përfshirë nga protesta masive që nga fillimi i qershorit kundër projektligjit tani të pezulluar që parashikonte ekstradimin e kriminelëve të dyshuar në Kinë. Protestat herë pas here janë bërë të dhunshme ndërsa protestuesit dhe forcat e policisë u përfshinë në përleshje të ashpra.

Të shtunën e kaluar, një oficer policie shkrepi një plumb në drejtim të protestuesve me pretendimet se ishte ndjekur nga protestuesit. Në të njëjtën ditë, policia përdori gjithashtu topa uji për të shpërndarë protestuesit.

Shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam u tha gazetarëve të martën se qeveria e saj do të merrej vet me protestat.

Deri më tani, të gjitha pëpjekjet për ndërmjetësim kanë dështuar me protestuesit të cilët bëjnë thirrje për t’i dhënë fund brutalitetit të policisë.

“Qeveria e Hong Kongut dhe protestuesit nuk mund të gjejnë ndonjë bazë të përbashkët, veçanërisht sepse nuk kanë asnjë besim ndaj autoriteteve”, tha Shih.

Tani për tani, Lam ka pezulluar leximin e projekt-ligjit për një afat të pacaktuar, por nuk e tërhoqi plotësisht atë.

Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes, Wu Qian, muajin e kaluar tha se Kina mund të vendosë trupa “për të ruajtur rendin shoqëror” në Hong Kong nëse kërkon qeveria lokale.

Përmbajtja e Kinës

Në lidhje me mënyrën se si Pekini i sheh demonstratat që kanë sfiduar autoritetet kineze, Shih tha: “Autoritetet e Pekinit veprojnë në mënyrë racionale dhe relativisht të matur pa dërguar trupa”.

“Hong Kongu akoma shërben si një qendër financiare për Kinën dhe botën. Angazhimi i ‘Një Vendi – Dy Sisteme’ është gjithashtu një kornizë politike për të unifikuar Tajvanin, por përdorimi i forcës nënkupton dështimin e këtij angazhimi dhe mund të shkaktojë ndërhyrjen e mundshme ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA-ve dhe anëtarëve të tjerë të G7”, tha Shih.

Kina mban një garnizon në Hong Kong ku janë vendosur personeli ushtarak kinez, i njohur gjerësisht si “garnizoni i Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Hong Kongut”. Ligji lejon Hong Kongun të kërkojë ndihmën e tyre në mirëmbajtjen e rendit publik.

“Megjithatë, një shtypje ushtarake do të nxiste sanksione ndërkombëtare”, tha ai duke shtuar se: “Përdorimi i forcës për të shuar protestat e Hong Kongut nuk shihet si opsion”.

Ai tha se më 7 gusht u mbajt një mbledhje në qytetin Shenzhen ku Pekini kërkoi qindra “elita politike dhe manjatët e biznesit për mbështetjen e tyre të plotë për politikën që Pekini do të përcaktojë”.

Pekini ka humbur besimin në Qeverinë e Hong Kongut dhe po kërkonte të përdorte forcë për të shtypur protestat, tha ai.

Protestat kundër ekstradimit filluan në fillim të qershorit dhe kanë vazhduar për 80 ditët e fundit. Demonstruesit i kanë parashtruar pesë kërkesa Qeverisë Lam.

Kërkesat përfshijnë “tërheqjen e plotë të projektligjit të ekstradimit, komision të pavarur për hetimin e dhunës së pretenduar të policisë, tërheqjen e klasifikimit të protestuesve si “rebelë”, amnisti për protestuesit e arrestuar dhe të drejtën për votim të dyfishtë universal si për Këshillin Legjislativ ashtu edhe për Shefin Ekzekutiv”.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies