Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka bërë të ditur se ka thirrur të ngarkuarin me punë të Zvicrës në Ankara për të protestuar kundër hapjes së zyrës së lidhur me grupin terrorist YPG/PKK në Gjenevë, transmeton (AA).
Duke përmendur hapjen e zyrës në Gjenevë të grupit terrorist YPG/PKK, të të ashtuquajturës “Administrata Autonome e Sirisë Veriore dhe Lindore”, në njoftim thuhet se diplomati zviceran u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë.
Ministria turke tha se autoritetet zvicerane nuk duhet të lejojnë që “organizata terroriste me duart e përgjakura dhe grupet e lidhura me të të fitojnë legjitimitet dhe propagandë nën emra të tilla si shoqata ose organizata joqeveritare”.
Më tej, ministria po ashtu theksoi se “propaganda terroriste duhet të përfundojë menjëherë”.
Duke theksuar se nuk duhet të ketë ndarje midis grupeve terroriste gjatë luftës së terrorizmit, ministria po ashtu kujtoi se “ata që përqafojnë organizatat terroriste një ditë mund të përballen me të njëjtin kërcënim”.
Turqia më tej u zotua se “do të vazhdojë me vendosmëri luftën e saj kundër PKK-së, e cila po ashtu njihet si organizatë terroriste nga BE-ja, si dhe me grupet e lidhura me të kudo”.
Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.
